Avokati i Popullit: S’kemi dërguar propozime zyrtare për eshtrat tek qeveria, mediat po përcjellin deklarime të pavërteta
Avokati i Popullit Ermir Dobjani, në një deklarim të sotëm zyrtar për mediat ka përgënjështruar shkrimet e një gazete pranë Edi Ramës, e cila bën aluzion për një përplasje institucionale mes Avokatit të Popullit dhe qeverisë shqiptare. Duke sqaruar gjithë korrespondencën, sqarime të cilat ai i bëri publike edhe tek gazeta “55” një ditë më parë, Avokati i Popullit thekson se qeverisë nuk i është dërguar asnjë propozim për gjetjen e eshtrave apo ndonjë ndryshim ligjor lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar krejt zhurmën si të shkaktuar nga deklarimet e paautorizuara të komisionerit të këtij institucioni Skënder Haluca. Ja edhe deklarata e plotë e Avokatit të Popullit Ermir Dobjani"Duke marrë shkas nga shkrimi i botuar sot më datën 11.02.2010 në gazetën e përditshme “Shekulli” me autore Lindita çela me titull kryesor “Avokati i Popullit i propozuam Berishës për eshtrat, por na injoroi”, institucioni i Avokatit të Popullit, në respekt të parimit të transparencës dhe të drejtës që ka publiku për të marë informacion të vërtetë dhe të saktë, bën këtë përgënjeshtrim:Institucioni i Avokatit të Popullit nuk i ka dërguar Kryeministrit asnjë lloj rekomandimi zyrtar me propozime për çështjet që kanë të bëjnë me eshtrat e personave të pushkatuar nga regjimi komunist. Në fakt më datën 17 dhjetor 2009 Avokati i Popullit ka udhëzuar Komisionerin Skënder Haluca që propozimet e tij t’i formulonte në formën e një projekt ligji për t’ja dërguar Qeverisë, gjë të cilën ai nuk e ka kryer deri tani.Titulli në fjalë konsiderohet tendencioz dhe artikulli është i pasaktë për pjesën që bën fjalë për veprimtarinë e Avokatit të Popullit dhe marrëdhënien me Qeverinë. Kjo gazetë, por edhe të tjera që kanë shkruar këto ditë për këtë çështje janë bazuar në prononcimet e zotit Skënder Haluca, me detyrë Komisioner pranë institucionit të Avokatit të Popullit, i cili nuk ka qenë dhe nuk është i autorizuar zyrtarisht nga Institucioni për të dhënë informacion për këtë çështje. Sipas nenit 12 të Rregullores së Brendshme të punës së institucionit të Avokatit të Popullit, të miratuar nga Avokati i Popullit dhe tre komisionerët e tij më datën 28.05.2008, “...Vetëm deklaratat apo personat e caktuar nga Avokati i Popullit kanë vlerën e qëndrimit zyrtar të këtij institucioni për çështjet apo problemet në diskutim. Të gjitha deklaratat e tjera konsiderohen opinione personale të individëve që i bëjnë”. Kështu që prononcimi zyrtar i Avokatit të Popullit për këtë çështje është bërë publik nga Gazeta 55 dhe intervista në TV. Vizion Plus më datën 10.02.2010"....