E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Investitoret kuvajtiane nga me te suksesshmit ne Shqiperi

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e parë të Kuvajtit në Shqipëri, zotin z. Najeeb Al-Bader, me rastin e marrjes së detyrës së re diplomatike në Tiranë.

Kryeministri Berisha u shpreh se ndihej shumë i lumtur që takohej me z. Al-Bader, si Ambasadori i parë i Kuvajtit, rezident në Tiranë. Hapja e ambasadës kuvajtiane në Tiranë, tha Kryeministri, shënon një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes dy vendeve dhe qeverive dhe do të përbëjë një kontribut të ri cilësor në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit reciprok.

Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, z. Al-Bader, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i përcolli Atij përshëndetjet më miqësore e të përzemërta të Kryeministrit të Kuvajtit, Sheik Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah. Ai rikonformoi vullnetin e qeverisë së Kuvajtit për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti në shkëmbimet ekonomike dhe thithjen e investitorëve kuvajtianë.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e rëndësishëm të qeverisë kuvajtiane përmes Fondit Kuvajtian të investimeve, në projekte të rëndësishme që janë realizuar dhe që po realizohen në vend, në veçanti, për projektin për rregullimin e Qendrës së Tiranës, për të cilin u rikonfirmua vullneti i të dy palëve, që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin Lulzim Basha, ky projekt te shndërrohet sa më parë, në një histori të vërtetë suksesi. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se investitorët kuvajtianë janë nga më të suksesshmit në Shqipëri dhe shprehën vullnetin për të nxitur dhe promovuar edhe më tej ardhjen e tyre me projekte konkrete.

Në takim u rikonfirmua gjithashtu gatishmëria e të dy qeverive dhe vendeve për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike. Në këtë kontekst, Ambasadori kuvajtian u shpreh se ndihej i lumtur të informonte Kryeministrin Berisha për vizitën së shpejti në Tiranë të Kryetarit të Parlamentit të Kuvajtit, si një dëshmi tjetër e vullnetit të të dy vendeve për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta, në interesin e të dy popujve miq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›