Berisha: Investoni në sektorin e turizmit, është përfitues
Kryeministri Berisha ka ftuar investitorët izraelitë të investojnë në sektorin e turizmit pasi sipas tij është mjaft përfitues.
Duke folur në forumin ekonomik Shqipëri-Izrael, kreu i qeverisë ka theksuar se vendi ynë nuk ofron vetëm turizmin bregdetar por edhe atë malor ndërsa ka shtuar se vitin e kaluar në Shqipëri ka pasur një bum turistësh.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka paraqitur të gjitha arritjet e qeverisë në sektorin ekonomik ndërsa ka shtuar se qeveria do të mbështesë të gjithë investitorët e huaj të cilët duan të zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri.
“Vendi jonë ka mjedis të qetë për biznesin. Shqipëria ka taksat më të ulta dhe ne jemi të vendosur të krijojmë një klimë biznesi sa më të përshtatshme për investitorët” theksoi Berisha ndërsa shtoi se vendi ynë ka potenciale të mëdha zhvillimi.
Kryeministri Berisha evidentoi edhe dy projektet kombëtare në bujqësi siç janë projekti i ullirit dhe ai i mbjelljes së drurëve arrorë.
“Janë mbjellë më shumë se 10 milion pemë ulliri, dhe kompanitë tuaja mund të përfitojnë duke marrë me qera tokat me një çmim shumë të lirë. Kemi një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe. Këto janë vetëm disa nga potencialet tona dhe keni një mik të vërtetë, sepse qeveria shqiptare ju mbështet që ju t’i shndërroni përpjekjet në një histori suksesi”, theksoi Berisha.