E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi zgjedhor, Asambleja e PS-së mblidhet në Elbasan

Të shtunën, Asambleja Kombëtare e PS-së do të mblidhet për masat organizative elektorale dhe momentet kryesore të kodit të ri zgjedhor

TIRANË- Miratimi i kodit zgjedhor i ka dhënë mundësinë Partisë Socialiste që të nisë tashmë zbatimin e strategjisë së saj elektorale. Pikërisht momentet kryesore që sanksionon ky kod, për sa i përket organizimit elektoral dhe situata politike e krijuar si pasojë e debatit të zhvilluar për të, do të jenë në qendër të diskutimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që pritet të mblidhet ditën e shtunë në qytetin e Elbasanit.

Mbledhja

Partia Socialiste, në vijim të strategjisë së saj për të afruar vendimmarrjen partiake me bazën, pritet që edhe mbledhjen e saj të radhës së Asamblesë Kombëtare ta mbajë në qytetin e Elbasanit. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur dje se pjesë e agjendës së kësaj mbledhjeje do të jenë një sërë çështjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me organizimin partiak në prag fushate dhe ecuria e zgjedhjeve në parti. Natyrisht, me interes pritet fjala e kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili siç mësohet, pritet ta fokusojë diskutimin e tij në dy çështje të rëndësishme; progres-raporti i Komisionit Evropian dhe situata politike në vend. Për sa i përket pikës së dytë të diskutimit të tij, kreu socialist pritet të japë qëndrimin zyrtar të Partisë Socialiste për situatën post-kod dhe ku, natyrisht, nuk do të mungojë as mesazhi për bashkimin e të gjithë progresistëve në një koalicion së bashku me qytetarët, për t’i dhënë përgjigjen e duhur qeverisjes së djathtë në zgjedhjet e parashikuara për t’u mbajtur në Qershor.

Pikat

Rendi i ditës, pas fjalës së kryetarit të Partisë Socialiste, do të vijojë me diskutimin e tri çështjeve kryesore, që kanë të bëjnë me masat organizative elektorale, momentet kryesore të kodit të ri zgjedhor dhe përshtatja e organizimit partiak elektoral në bazë të tij, si procesi zgjedhor në organizatat e partisë. Kështu, për sa i përket masave organizative, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, do të raportojë sekretari për çështjet elektorale të partisë, Kastriot Islami, i cili do të informojë asamblenë për fazën e parë të zbatimit të strategjisë elektorale. Gjatë kësaj periudhe duhet të ishin ngritur shtabet elektorale në bazë dhe në qendër, si dhe të ishin konstituuar 11 grupet e punës që do të funksionojnë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe do të kujdesen për politikat për sektorët përkatës. Ndërkohë, një vend të rëndësishëm do të zërë padyshim kodi i ri zgjedhor, që u miratuara disa ditë më parë me shumicë dërmuese votash nga Kuvendi. Për gjithë etapat që kaloi ky proces, do të raportojë bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Fatmir Xhafaj, i cili do të informojë anëtarët e asamblesë për pikat më të rëndësishme të këtij kodi, si dhe do të shpjegojë çështjet më të debatuara të tij që kanë të bëjnë kryesisht me koalicionet, formatimin e komisioneve zgjedhore, apo edhe për procesin e votimit. Gjithashtu, sekretari për çështjet organizative, Blendi Klosi, ka përgatitur një material të detajuar në lidhje me ecurinë e procesit të zgjedhjeve në organizatat partiake, i cili u mbyll vetëm pak ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›