Berisha: Ja pse nuk heqim TVSH-në për bujqësinë
Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë propozimin e PS-së për heqjen e TVSH-së, duke pohuar se ky sektor subvencionohet nga shteti
Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë propozimin e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për prodhimet bujqësore. Nga qarku i Beratit, ku inauguroi disa investime publike në Lapardha dhe Sinjë, Kryeministri shprehu qëndrimin e tij se TVSH-ja nuk do të hiqet, për shkak se për fermerët do të ketë subvencione nga ana e shtetit. “Krerët e opozitës, për të sulmuar qeverinë, kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet tuaja. Qëllim i tyre është që ju të mos votoni më për qeverinë. Nuk do të hiqet TVSH-ja, sepse si kudo në Europë, për biznesin dhe fermerët do të ketë subvencione nga ana e shtetit”, -tha Berisha, duke shtuar se TVSH-ja nuk do të hiqet edhe për importet, pasi kjo nuk do të lehtësonte aspak qytetarët, por bizneset. Sikurse edhe gjatë vizitës në Tropojë, kryeministri Berisha shprehu pikëpamjet e mazhorancës për ligjet me 3/5-at që kërkojnë edhe votat e deputetëve socialistë. “Krerët e PS-së përdorin pushtetin që u kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar ato pak ligje që janë të nevojshme të votohen me tre të pestat, që janë jetike për integrimin në Europë. 95 për qind e ligjeve të tjera nuk bllokohen dot nga ata që përdorin pushtetin e zgjedhësve për të bllokuar aspiratën më të mirë të tyre. Ne do ta shtyjmë përpara rrugën e integrimit”, - theksoi Berisha. Ai u tha banorëve të zonës se janë fatlumë, pasi ndërtimi i rrugëve nuk kërkon 3/5-at e votave në parlament, duke denoncuar kështu politikën bllokuese të Edi Ramës. Gjatë takimit me banorët e Sinjës, Berisha ka komentuar sërish librin “Kurbani” të liderit të opozitës, ndërsa është shprehur i hapur për dialog me opozitën në të ardhmen.