Kreu i KLSH, PD “rrëzon” kandidaturën e Topit
Deputeti Dashnor Sula: Dekreti për emërimin e Sali Shehut, vendim i nxituar, i pakonsultuar me palët dhe nuk plotëson kriteret
Kandidatura e presidentit Bamir Topi për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit “rrëzohet” nga një tjetër deputet i PD-së, duke paralajmëruar shanset minimale që ka emri i Sali Shehut për t’u miratuar në Kuvend. Deputeti Dashnor Sula, i njohur publikisht si një ndër mbështetësit e Topit, e ka cilësuar vendim të nxituar dekretin presidencial për kreun e KLSH-së. Në një intervistë televizive, Sula thotë se emri i ish-deputetit të PD-së, Sali Shehu është përzgjedhur në mungesë konsultimi me palët, çka sipas tij përbën një vendim të nxituar nga Presidenti. “Vendim i nxituar, mungesë konsultimi dhe mosplotësim kushtesh”, - janë tri vlerësimet që deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit të Ligjeve, Dashnor Sula ka dhënë për dekretimin e Sali Shehut, kandidaturë kjo që pritet të hidhet së shpejti për votim në Kuvend. Në të vërtetë, ky nuk është reagimi i vetëm nga mazhoranca, që paralajmëron një rrëzim të mundshëm të kandidaturës së Topit gjatë votimit të hapur në parlament. Deputeti Enkelejd Alibeaj, duke e cilësuar Shehun “sekser të Presidentit” në emërimet e gjyqtarëve, kumtoi qëndrimin e pritshëm të mazhorancës ndaj zgjedhjes së kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga ana tjetër, deputetë të opozitës nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të prerë mbi kandidaturën e Sali Shehut, duke ua lënë vendimin për votimin e kësaj kandidature diskutimeve të mëvonshme.