E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Jagland: Bashkë me opozitën mbyllim reformat brenda sesionit

STRASBURG- Gjatë vizitës në Strasburg, Kryeministri Berisha u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland. Zyra për shtyp e kryeminsitrisë bën me dije se në takim u diskutuan zhvillimet politike në vend dhe ecuria e reformave. Në veçanti, Sekretari i Përgjithshëm Jagland u interesua për ecurinë e reformës zgjedhore. Kryeministri Berisha i bëri me dije Sekretarit Jagland angazhimin e plotë të qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën në reformat. Kryeministri shprehu besimin dhe angazhimin në përmbylljen e reformës zgjedhore brenda këtij sesioni. 

Në takim u theksua rëndësia e heqjes se imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtaret, si një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha e siguroi Sekretarin Jagland për vendosmërinë e qeverisë, për të hequr çdo lloj imunitetit të zyrtarëve ose gjyqtarëve në rastet e krimit të zakonshëm apo korrupsionit, duke shpresuar që edhe opozita do t’i bashkohet këtij qëndrimi, në dobi të së mirës së qytetarëve shqiptarë. 

Gjithashtu, sekretari Jagland, ndërsa theksoi se fillimi i Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka qenë shumë i mbarë, i uroi Kryeministrit sukses të plotë në prioritetet e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave në muajt në vijim. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›