E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: Kutitë të hapen nga ekspertët

 

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, mendon se kutitë e votimit duhet të hapen jo nga politikanët, por nga ekspertët. Zbardhja e shkeljeve të pretenduara që përmbajnë kutitë e ditës së zgjedhjeve, sipas ish-numrit një të KQZ-së, duhet të bëhet nga një grup ekspertësh zgjedhorë të pavarur. “Në mënyrë fare të rastit, në magazinat ku ruhen kutitë të zgjedhin për shembull 100 kuti, të verifikojnë çfarë përmbajnë këto kuti; pra të numërohen votat dhe të shikohet se si këto vota të numëruara janë zbardhur në procesverbale dhe në rast se do të gjendet mospërputhje midis faktit të fletëve të votimit dhe asaj se çfarë është shkruar në procesverbal, menjëherë të fillojnë proceset e penalizimit të atyre që e kanë bërë këtë veprim abuziv ndaj ligjit”, tha Kume. Lidhur me debatin nëse duhet të digjen ose jo fletët e votimit nga KQZ-ja, Kume thotë se KQZ-ja është në të drejtën e saj, por një veprim i tillë do ta kthente në shënjestër të sulmeve politike. “Të mos t’i shtojmë kësaj situate të ngarkuar politike edhe një çështje më tepër. Pra, të mos bëhet KQZ-ja, duke ekzekutuar në të drejtën e plotë të tij këtë detyrim, target i luftës politike. Koha se kur duhet të asgjësojë fletët e votimit, do të thosha se është e udhës, duhet të merret në konsideratë situata politike në të cilën ndodhemi sot dhe kërkesa që ka opozita”, tha Kume. Ngritja e komisioneve hetimore për zbardhjen e zgjedhjeve nuk është një praktikë e re në proceset elektorale shqiptare, por asnjëherë nuk është arritur në rinumërim të fletëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›