Berisha: Jemi të shqetësuar për vrasjet e qytetarëve të pafajshëm nga regjimi sirian
Kryeministri Berisha ka pritur gjatë ditës së sotme në një takim, ambasadorin e ri të Katarit në Tiranë, Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai. Gjatë këtij takimi, Berisha ka theksuar marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Katarit.
Berisha është ndaluar gjithashtu tek ndikimi që ka Katari në rajon, ndërsa ka theksuar se qeveria shqiptare është e shqetësuar nga vrasjet e qytetarëve të pafajshëm nga ana e regjimit sirian.
Qeveria shqiptare ndjek me shqetësim atë çka po ndodh në Siri, ku regjimi i presidentit Bashar al-Assad po përdor pushtetin si licencë për të vrarë qytetaret e pafajshëm dhe popullin sirian, ka thënë Berisha.
Më tej, ai theksoi se Shqipëria do të mbështesë plotësisht të gjitha nismat e ligës Arabe, Kombeve të Bashkuara dhe të çdo organizmi tjetër ndërkombëtar në ndihmë të popullit sirian, për shpëtimin e jetëve të qytetarëve civilë të pafajshëm, nga diktatura brutale e Assad-it.