Nikollë Lesi drejt tërheqjes nga mazhoranca, gati bashkimi në një parti me Ndokën
Nard Ndoka dhe Nikollë Lesi, përkatësisht kryetarët e PDK dhe LDK, shumë shpejt pritet që të bashkohen në një parti të vetme. Ata janë takuar gjatë ditës së sotme, për të biseduar për gjetjen e një formule bashkëpunimi e bashkimi në një parti të vetme politike kristiane.
Të dyja partitë bashkërisht kanë mbi 80 mijë vota kombëtare dhe nisur nga ky fakt, si dhe nga mospërfaqësimi dinjitoz i këtyre forcave politike në qeverisjen e vendit dhe në parlament, kryetari i PDK dhe kryetari i LDK, si dy formacione të të njëjtit spektër, ndonëse për momentin në dy kampe të ndryshme politike, u takuan dhe biseduan për gjetjen e një formule bashkimi, si dhe përcaktimin e kampit politik ku do të qëndrojnë përfundimisht, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, demokristianët të përfaqësohen denjësisht në parlament dhe mundësisht me një grup parlamentar, thuhet në një njoftim për këtë takim.
Nikollë Lesi ka qenë ndër të vetmit zëra nga aleatët që janë shprehur kundër qeverisë, sidomos prej faktit se administrata është zaptuar nga militantët e LSI-së. Me këtë veprim, Lesi duket sa ka vendosur që të tërhiqet nga kjo mazhorancë, ku aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Kulturës.