Berisha: Jo më master pa TOEFL-in
Testi ndërkombëtar i gjuhës angleze TOEFL tashmë do të jetë një kusht për çdo person që kërkon të vazhdojë studimet e larta në nivelin master. Kjo ishte deklarata që bëri Kryeministri Berisha gjatë një ceremonie për shpërndarjen e diplomave për studimet Master i Nivelit të Dytë, nga institucioni i arsimit të lartë privat, ISSAT. “Qeveria, javën e kaluar, në thellim të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për master. Në tërësi kjo është pritur mirë, por ka pasur edhe ndonjë reagim dhe kjo është normale”, njoftoi Kryeministri. Sipas tij, ky vendim është marrë, sepse është konsideruar i domosdoshëm. Po kështu, Berisha deklaroi dje se qeveria që ai drejton është e vendosur për të kryer një reformë të thellë në sistemin arsimor. “Nuk ka reformë më të rëndësishme dhe nuk ka investim më jetik për ndërtimin e së ardhmes nga kombi ynë. Për të kapur kohën e humbur ka vetëm një levë dhe një mekanizëm mbi të gjithë të tjerët, ky është arsimi, edukimi dhe shkollimi”, theksoi Berisha. Në kuadër të reformës për arsimin, Berisha foli edhe për nismën e fundit që po kërkon të ndërmarrë qeveria, atë të heqjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për arsimin. “Duke filluar nga viti që vjen, arsimi është i pari dhe i fundit që do të jetë pa TVSH, sepse për të tjerat do të mbetemi tek të 10-at”, theksoi Berisha. Po kështu, Kryeministri deklaroi se një grup i gjerë drejtuesish dhe specialistësh po punojnë për një sistem të ri financimi në universitete. “Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike ashtu edhe për shkollat private”, theksoi Berisha, duke përsëritur këtu një premtim të bërë pak javë më parë në mbledhjen e qeverisë. Sipas Berishës, qeveria në fushën e financimit po adapton sistemet më të mira dhe nuk kërkon të dobësojë financimin, por të dyfishojë burimet financiare për arsimin. Po kështu, Berisha theksoi se qeveria po vijon përpjekjet e saj për të nxitur kërkimin shkencor në universitete.
#