Mësoni shkencat shoqërore, vendit i duhen politikanë
Në boshllëkun jorastësor të klasës (dhe jetës) politike, por edhe të segmenteve shtetërore përkatëse që vështirë se funksionojnë, ambasadori amerikan duket se i ka “vënë supin” kësaj pune. Edhe pse i ka jo të pakta orët e ditës në të cilat i duhet doemos të merret me politikën, Parlamentin, hartimin, redaktimin dhe korrektimin e ligjeve që ne i marrim me “copy paste” nga shtetet europiane, me gjithçka që mëton të funksionojë në këtë vend “ashtu si në botë”, ai gjen kohë të interesohet përmes njerëzve të tij edhe për arsimin, madje jo vetëm për atë publik, por edhe për shkolla jopublike, nga bankat e të cilave dalin nxënës të cilëve u akordohet “Medalja e Artë” nga Ministria e Arsimit të këtij vendi. Uidhers, ftoi para pak ditësh 25 nxënësit e shkëlqyer të gjimnazit të largët verior, gjimnaz që mban emrin aq kuptimplotë të vendlindjes së tyre, emrin e stërlashtë të Shkodrës, “Skutari”.
Shkodranët nuk kishin marrë masa për të njoftuar media të ndryshme, sa falë moskokëçarjes së stërnjohur “skutariane”, aq edhe natyrës kokulur të njerëzve që punojnë. Sepse, cili gjimnaz, ca më tepër jopublik, do ta linte t`i ikte nga dora një rast të tillë, të mos filmohej në një takim me Uidhers-in? Por edhe ato dy media televizive që erdhën në ambasadë, nuk u lejuan, pasi do të duhej të kishin konfirmuar ndjekjen e takimit të paktën 15 ditë përpara... E këtu s`ishte faji i mediave, as i ambasadës, por i shkodranëve, të cilët me përtesë kishin faksuar fotokopjet e pasaportave të 25 nxënësve të shkëlqyer, të drejtoreshës punëtore Violeta Lumi, si edhe të njërit prej mësuesve më të spikatur të arsimit të Shkodrës, administratorit të “Skutarit”, pedagogut Njazi Limaj.
Takimi u mbajt në ambientet e ambasadës si pjesë e axhendës së ambasadorit, nën drejtimin e zyrës së informacionit publik të asaj ambasade. Ambasadori Uidhers, në fjalën e mirëseardhjes, foli për interesimin e tij mbi shkollën “Scutari” të Shkodrës. Ai tha se ishte i mirinformuar mbi rezultatet e shkëlqyera që nxënësit e kësaj shkolle kishin arritur. Madje ai tha se i kishte bërë ftesë të veçantë për takim në ambasadë ish-nxënësit të kësaj shkolle, fitues i “Medaljes së Artë”, Drit Sokolit, i cili tani është student në Universitetin e Tiranës. U tha se ishte në dijeni që gjimnazi “Skutari” ishte në pritje të një medaljeje tjetër brenda këtij muaji. Kështu ai pyeti nëse ishte aty nxënësja Holta Kraja, e cila ishte kandidate për “Medaljen e Artë”. Të gjithë u shtangën kur dëgjuan të shqiptonte ambasadori emrin e shoqes së tyre. Ku e dinte Uidhers-i këtë? Me fjalë të thjeshta, diplomati amerikan u bëri nxënësve një prezantim të shkurtër mbi jetën e tij si nxënës dhe si diplomat. “Kam shërbyer edhe në disa vende të cilat nuk ushqejnë shumë dashuri për SHBA-të, u tha ai nxënësve, por kudo kam punuar që njerëzit të afrohen e të përparojnë. Në këtë kuptim për shqiptarët e kam dyfish këtë detyrim, pasi siç dihet, ky popull ndjenjat miqësore për Amerikën i ka të hershme”. Zoti Uidhers u tregoi nxënësve të gjimnazit “Skutari” se gjuhën shqipe e kishte dëgjuar të folur edhe më përpara dhe i kishte tingëlluar si një gjuhë e gjallë, e pasur dhe melodioze. “Megjithëse nuk marr vesh shumë nga shqipja, tha ai, unë shpesh ndjek stacione shqiptare në televizion (ndoshta e bën këtë kur ka seancë Kuvendi, për “të larguar” stresin). Me kënaqësi po ju them se lexoj letërsi shqipe dhe vlerësoj shumë shkrimtarë të këtij vendi. Më kanë pëlqyer shumë prej tyre, por do të veçoja Kadarenë dhe Kongolin. Mund të them se janë të nivelit të nobelistit Solženicyn. Realizmi, tematika, mënyra e trajtimit të temave psikologjike, interpretimi nga këndvështrime intriguese, janë disa nga arsyet që të kem vlerësime të larta për krijuesit shqiptarë. Prandaj, përveç detyrës sime funksionale, i kam edhe për zemër shqiptarët”, përfundoi ai.
Dy orët e takimit me ambasadorin amerikan kaluan pa u ndier për nxënësit e shkollës “Skutari”. U bënë pyetje nga të dyja anët dhe kuptohet më shumë nga nxënësit që ishin kureshtarë të mësonin mbi jetën e tij dhe të Presidentit Obama. Por pati pyetje edhe nga ambasadori për nxënësit, për prirjet e tyre, për ëndrrat që kanë ata për shkollim... Të dyja palët mbetën të habitur e shpesh të mrekulluar nga njohja. Kështu, për shembull, ambasadori ishte mrekulluar kur kishte mësuar se bija e një zejtari të thjeshtë në Shkodër, që rropatet gjithë ditën për të ushqyer familjen, nxënëse e “Skutarit”, është kandidate për “Medaljen e Artë”. Por edhe “u habit” kur pa se këta djem e vajza në moshën e pragmaturimit të tyre kërkonin ato që ai i kishte pasur të garantuara para afro 40 vjetësh. Ashtu siç nxënësit u mrekulluan, edhe u habitën për faktin që vendi i Uidhers-it i kishte krijuar këtij të fundit kur ishte në moshën e tyre ato kushte që këta ëndërrojnë sot në... 2010-ën në vendin e tyre. Duke pasur parasysh faktin që e para “Medalje e Artë” në këtë shkollë, por edhe e dyta që pritet të shpallet, janë në Shkencat e Natyrës, më se një herë në bisedë ambasadori u rekomandoi me takt nxënësve të shkollës “Skutari” të studiojnë për shkencat shoqërore, sidomos për politikë. “...sepse e ardhmja e vendit tuaj kërkon politikanë vizionarë, se vendi juaj dëshiron integrimin në Europë”... Si mund t`u thoshte ndryshe Uidhers-i djemve dhe vajzave nga Shkodra? T`u thoshte në shqip: Mësoni ju, mbase del ndonjë brez politikanësh për këtë vend, që të mos heqin të zitë e ullirit të paktën pasardhësit e mi që do kenë radhën të punojnë me ta? Jo, këtë nuk mund t`ua thoshte për dy arsye: së pari sepse ata janë të rinj e njëherazi aq të pafajshëm, dhe së dyti, me ta nuk mund të fliste “pa dorashka”, siç bën ndonjëherë ai kur bëhet fjalë për ndonjë ligj të hartuar “me kujdes” nga këta tanët, që përveç të tjerave, marrin edhe rrogën e politikanit. Prandaj, ai me delikatesën që kërkonte mosha e bashkëbiseduesve të tij dhe me xhentilesën që kurrë nuk i mungon, u tha më shumë se një herë në ligjëratë të drejtë: “Të ndjekësh shkencat shoqërore, e në veçanti ato politike, do të ishte një vendim i menduar mirë dhe me vlerë për të ardhmen e Shqipërisë në integrimin e saj”.
Dy orët që kaluan në shoqërinë e diplomatit ishin intensive dhe me mbresa të pashlyeshme për nxënësit e gjimnazit. Ambasadori u shpreh i entuziazmuar për vizitën. Ai përgëzoi gjimnazistët e “Skutarit” edhe për nivelin e lartë të zotërimit të gjuhës angleze, pastaj falënderoi i kënaqur për dhuratën që administratori Njazi Limaj i kishte zgjedhur.
Bëhej fjalë për Relievin e Kolë Idromenos, titulluar Pazari “Dixhisten”, i cili funksionoi deri në vitin 1962 në Shkodër. Duke i dorëzuar dhuratën, pedagogu Limaj i tha ambasadorit: “Ju falënderojmë shumë për gjithçka po bëni për përparimin e vendit tonë, për ndihmën që jepni. Ju zoti ambasador jeni në të vërtetën historike në vazhdën e paraardhësve tuaj të ndritur, të cilët nisin qysh nga Presidenti Uillson, në interesimin tuaj për vendin tonë. Por edhe ne jemi në pozicionin tonë të natyrshëm: miq dhe aleatë të Amerikës, që çmojmë lart përpjekjet e saj”.
Uidhers-i garantoi se për nxënësit e shkollës “Skutari”, dyert e ambasadës do të jenë të hapura sa herë ata të dëshirojnë. Ai madje u zotua se do të bënte çmos t`ia “kthente” vizitën gjimnazit “Skutari”.
#