Dita e Skënderbeut, mes festës dhe riteve pagane
Shëngjergji, festë fetare apo pagane, në fshatin Dushaj të Komunës Fushë Bulqizë, vazhdon të festohet në një mënyrë krejt të veçantë. 6 maji për shumë treva shqiptare, si Lura, çidhna e Malet e Dibrës, festohet si Dita e Shëngjergjit. Lura madje e quan atë edhe si dita e lindjes së Skënderbeut.
Dita e Shëngjergjit përshkruhet si festë fetare, apo si dita me rite pagane. Kjo ditë festohet në mënyrë të veçantë në Teqenë e Madhe të fshatit Dushaj në Komunën Fushë Bulqizë. Veçantia e festimit të kësaj dite qëndron në faktin se Shëngjergji nuk festohet në datën e caktuar 6 maj, ditë kjo ku çdo familje individualisht kryen ritet e saj, por një ditë më vonë, pra më 7 maj. Sipas sheh Ali Shehut të kësaj teqeje, historia e festimit të kësaj dite më 7 maj, një ditë më vonë se data reale e saj, ka lidhje me vetë këtë teqe. Kështu, 200-300 vjet më parë, sipas gojëdhënës, i pari i fisit Ferra në fshatin Plezhë të Klosit në Rrethin e Matit, nëpërmjet një ëndrre të parë ishte urdhëruar që të udhëtonte drejt Teqesë së Madhe, për të prishur zinë që kishte pllakosur në këtë teqe, me rastin e vdekjes së një djali fare të ri të saj”, thotë Muharrem Shehu, 86-vjeçar. Sipas tij, nga kjo kohë, matjanët e këtij fisi vijnë vazhdimisht pranë kësaj teqeje në festim të Ditës së Shëngjergjit, por jo më 6 maj, por më 7 maj. Sot është kthyer në një festë popullore, që për çdo vit kremtohet edhe më tepër jo vetëm nga moshat e treta, por edhe të rinj. Sipas banorëve, kjo premton për një vijueshmëri në vazhdim të kësaj tradite.