Uji i ndotur, mijëra banorëve u ndalohet konsumi
Prej disa ditësh në Kukës ndotja e ujit të pijshëm ka sjellë probleme shëndetësore te banorët. Edhe drejtues të Drejtorisë së Shërbimit Parësor konfirmuan për gazetën “Shqip” se uji është ndotur me elemente bakteriologjike dhe aktualisht është i pakonsumueshëm. “Në lagjen Nr. 1 ka pasur ndotje të ujit të pijshëm, kryesisht me ujërat e zeza, për shkak të sistemit tërësisht të amortizuar, të sistemit dytësor të tubacioneve nga ku furnizohen me ujë rreth një mijë banorë”, tha drejtori i Ujësjellësit, Nikolin Martini. Sipas tij, menjëherë pas konstatimit është urdhëruar pezullimi i përdorimit të ujit në zonën përkatëse dhe marrja e masave nga ana e Ujësjellësit. Ndotja e ujit është raportuar në Drejtorinë e Shëndetit nga vetë konsumatorët. Banorët tregojnë se uji ka pasur erë të keqe dhe ngjyrë, ndërsa banorët kanë ndier dhimbje barku dhe të vjella. Ndotja e ujit ka sensibilizuar edhe pushtetin vendor, i cili ka organizuar një takim urgjent më drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujit, tashmë nën juridiksionin e bashkisë. Nga ana e tyre, drejtues të Ujësjellësit thonë se nuk mund ta përballojnë koston e ndërtimit të rrjetit në lagje, qoftë edhe të pjesshëm, pasi ky institucion po përjeton ditë të vështira për sa u takon fondeve dhe financimit. Rrjeti aktual i ujësjellës-kanalizimeve është plotësisht i amortizuar, pasi që prej viteve ‘70 të shekullit të kaluar nuk është bërë një ndërhyrje e plotë në këtë sistem.
Deri sa të gjenden fondet e nevojshme për rehabilitim, mijëra banorë do të mbushin ujë me kova nëpër lagjet e tjera, ndonëse uji në Kukës është me orar të reduktuar me vetëm një orë në ditë me ujë.
#