Berisha: Josif Bageri, një nga personalitet më të rralla të Rilindjes sonë, por i harruar

Në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për kremtimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, duke marrë shembullin e rilindësit nga Reka Josif Bageri, i cili është lënë në harresë nga historia, kryeministri Berisha ftoi historianët, studiuesit dhe qytetarët, kudo që ata ndodhen, që ta shndërrojnë këtë vit, në vitin e të vërtetave historike kombëtare të shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të Komitetit Shtetëror të kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë falënderoi dhe shprehu mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, studiuesve, personaliteteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë dhe kudo, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në nderimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, si dhe në shndërrimin e këtij viti në vitin e të vërtetave historike kombëtare të shqiptarëve.
Më tej Kryeministri vlerësoi se “ky vit ka meritën e madhe të hapjes së një debati të paprecedent në të gjitha rrethet shkencore, publicistike dhe më gjerë për problemet e mëdha historike të kombit këto 100 vjet”.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se këto debate i kanë shërbyer lartësimit të zhvillimeve historike përgjatë 100 viteve, duke lënë jashtë, glorifikimin folklorik dhe nihilizimin.
“Ky vit ka meritën e madhe se ngjalli një debat të paprecedent në të gjitha rrethet shkencore publicistike dhe më gjerë për problemet e mëdha historike të kombit këto 100 vjet. Në tërësi këto debate i kanë shërbyer shumë nxjerrjes në piedestal të të vërtetave ose zhvillimeve historike në vërtetësinë e tyre këto 100 vite, jashtë glorifikimit absolut folklorik dhe nihilizimit primitiv të bazuar në një seri qëndrimesh tërësisht atavike. Studiues të ndryshëm janë angazhuar dhe kanë shkruar kryevepra të llojit të vet për aspekte te caktuara, për zhvillime të këtyre 100 viteve te fundit. Kanë bërë botime autorësh të huaj dhe vendas të cilët kanë rrëzuar malin e ideologjisë hoxhiste që qëndronte për fat të keq, sërish në arenën e saj. Historia kuptohet në mënyrën më rudimentare, nëse për të lartësuar një personalitet zgjedh si rrugë mohimin e kundërshtarëve të tij apo personalitete të tjera dhe ky ishte rregulli i hoxhizmit... Natyrisht ky është një proces dhe nuk të mendohet se u kompletua, por fillimi është i ndershëm, është shumë inkurajues, sepse e thashë dhe njëherë se ne kemi qenë komb i historisë së ndaluar, i historisë së injoruar, i historisë së falsifikuar si asnjë komb tjetër. Në tërësi tani bashkohen faktet, bashkohen në dokumente, dallojnë interpretimet, por ky do të jetë një proces i gjatë”, vijoi Kryeministri.
Më tej Kryeministri nënvizoi se “ne kemi qenë kombi i historisë së ndaluar, historisë së injoruar, të falsifikuar. Në tërësi tani bashkohen fakte, dokumente, dallojnë interpretimet, por do të jenë një proces i gjatë”. Në disa projekte janë konkretizuar monumente dhe vepra për të nderuar ngjarje dhe personalitete të së shkuarës, sërish ka mangësi dhe ky proces uroj që të vazhdojë. Në mbledhjen tjetër theksova se është i domosdoshëm Monumenti i të rënëve në Kosovë, luftëtarëve të lirisë në Kosovë. Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Ndaj dhe ky monument duhet që brenda qershorit të vitit që vjen të jetë i përfunduar dhe po kështu edhe për luftëtarët e lirisë në Maqedoni. Nuk mundet të mos ketë një përmendore autori i himnit kombëtar Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni). Ai na ka dhënë një himn të bukur, ai është një nga himnet më unike, i përkushtohet flamurit, është apoteoza e flamurit. E nderojnë në fshatin e tij , por duhet ta nderojë qyteti i Korçës. Edhe në Tiranë duhet të ketë një shkollë me emrin e tij. Në harrese është dhe gjeniu autodidakt i rilindjes shqiptare Josif Bageri, një nga personalitet më të rralla të Rilindjes sonë, por i harruar. Të mos harrojmë se ortodoksit e Rekës kanë qenë pjesë parësore e kombit shqiptar dhe ata kanë qenë në një trysni të gjatë, të gjithanshme, për arsimin, por genet janë gene. Funksionon në Maqedoni shoqata “Josif Bageri”. Poezitë e tij janë ndër më të bukurat. Elegjia e tij për Naim Frashërin është një himn i vërtetë. Unë mora rastin e Josif Bagerit, i cili nga një figurë e rëndësishme kombëtare, mbeti i skajuar dhe duhet të vendoset krahas rilindësve të tjerë në piedestalin që meriton. Ai ishte autodidakt, por ishte gjeni, ishte një nga kalorësit, dashnorët më të zjarrtë të gjuhës shqipe në atë kohë. Edhe ne programe duhet të shihet sepse ka shumë mundësi të jetë i injoruar. Nuk është në vendin që i takon as Iljaz Pashë Dibra, i cili priu në vendin e tij. Ne nuk kemi një panteon, në të ardhmen duhet ta parashikojmë, por ata duhet të jenë ne mendjen dhe ne zemrën e të gjithë shqiptarëve”.
Duke u ndalur në festimet gjatë muajit nëntor, Kryeministri tha se “nëntori është muaji final i veprimtarive më intensive”.
“Natyrisht, nëntori është dhe muaji final i veprimtarive më intensive. Kritika ka, pasi mund të ketë një vonim në disa momente. Mund të jenë të drejta, por e vërteta është se kritikat bëhen më shumë për shkëlqimin dhe shkëlqimi nuk zgjat shumë dhe këtë duhet ta kemi parasysh. Një dekor i ndërtuar patra kohe e ka të vështirë të rezistojë në momentin që duhet të rezistojë”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë, Berisha përgëzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që iu bashkua nismës së demokratëve vlonjatë për vendosjen e flamurit shqiptar në çdo dritare.
“Veprimtaritë kanë qenë intensive, kanë qenë të shumanshme, kanë qenë brenda dhe jashtë vendit dhe unë dua ti përgëzoj të gjithë përfshi edhe ekspozitën e Artan Lames në Parlamentin Evropian. Do të kisha dashur ta përgëzoja Edi Ramën, ia u them me sinqeritet, por nuk e përgëzoj se në parlamentin Evropian nuk foli për Ismail Qemalin apo për Hasan Prishtinën, por e nisi dhe e sosi fjalimin me Sali Berishën, duke më nderuar mua, por duke turpëruar veten. Nuk e botoi dot në shtypin e tij fjalën. Ajo është reklama më e mirë që më bën mua. Hap ekspozita për Ismail Qemalin dhe flet për mua.
Sot po, do ta përgëzoj. Sepse u bashkua me nismën e militantëve të mi në Vlorë të ngremë një flamur. Kjo qëndron dhe unë bashkohem me nismën e demokratëve të Vlorës, të zotit Rama dhe të gjithë shqiptarëve që nëntorin ta shndërrojmë në muajin e Flamurit. Të nxjerrim një flamur në dritaret tona. Kemi një flamur më të bukurit se çdo vend tjetër, dekoron dhe zbukuron çdo qoshe, çdo detaj, çdo pemë dhe kudo që ndodhet. Ndaj dhe e vlerësoj dhe këtë thirrje që bëri sot në sintonimi të plotë me degën e PD-së në Vlorë dhe e siguroj që do të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të valëvisin gjatë këtij muaji sa më shumë flamuj”, vijoi më tej Berisha..
Kryeministri ritheksoi se pretendimet se po krijohet rivalitet me Vlorës dhe Tiranës, për sa i përket kremtimeve të 100 vjetorit, janë të pa bazuara dhe naive. Kryeministri bëri të ditur se në të dyja qytetet janë programuar një seri aktivitetesh, të cilat do të bashkojnë shqiptarët në përkujtimin e ngjarjes së tyre historike, më të rëndësishme.
“Unë ftoj të gjithë shqiptarët që ky muaj dhe ky vit të jetë një vit bashkimi rreth idealit tonë kombëtar. Kundërshtitë, diversiteti janë gjenerator i çlirimit të energjisë dhe zhvillimit, por ky muaj duhet të jetë muaji i bashkimit, i nderimit së bashku. Unë jam shumë i çuditur nga disa pretendime, të cilat janë jashtë çdo lloj realiteti. Ideja se po krijohet rivalitet mes Tiranës dhe Vlorës është një ide shumë naive, për të mos thënë më shumë. Vlora është qyteti ku u shpall pavarësia, dhe kremtimi i 100 vjetorit bëhet sigurisht në Vlorë, por Tirana është kryeqyteti dhe ne nuk mund të mbajmë një qëndrim tjetër. Janë ftuar shumë miq. Sigurisht që do të jenë në Vlorë por do të kremtojnë në Tiranë... Nuk është mirë të përdoren selitë sepse shkon ai në seli por problemi është se një pjesë e qytetarëve vlonjatë kanë seli të tjera partiake, ndaj dhe duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtyre veprimeve që bëhen nga pasione partiake. Ose ideja se është tentuar të shmanget Vlora. Absolutisht që nuk është tentuar kurrë të shmanget Vlora. Natyrisht ka një ngushtim sepse janë shumë delegacione dhe është shumë e vështirë spostimi. Protokolli ka përcaktuar koncert të madh në Vlorë me datë 27 në darkë, miting në mëngjes dhe ngritje flamuri nga Presidenti i Republikës dhe kthimi në Tiranë. Nëse duan të drekojnë, është në tagrin e tyre. Madje i përgëzoj, ka njerëz që duan të rrinë dhe mund ta bëjnë këtë. Por festimet do vazhdojnë në Tiranë sepse ka një kohë të përcaktuar. Po të ishte Tirana dhe Durrësi do ishte më e thjeshtë, por ja që është distanca më e madhe. Pra, ky është rendi, pas kthimit nga Vlora ka një paradë dhe më pas një drekë. Do të zhvillohet inaugurimi i monumentit të 100 vjetorit të Pavarësisë, ka gjithashtu koncerte, ndër të cilat një koncert dhe mbledhje solemne në Pallatin e Kongreseve. Një koncert tjetër është në Sheshin ‘Nënë Tereza’ me këngëtarët më të njohur me disa aplikacione me drita, (holograma). Pra është një përpjekje të jetë një ditë 27 dhe 28 sa më festive. E theksoj edhe një herë se në datën 25 festimet do të zhvillohen në Shkup dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Atje do ketë një koncert madhështor në Pallatin e Sportit të Shkupit. Paraditja e datës 27 është në Kosovë, inaugurimi i rrugës, 27-ta pasdite është në Vlorë, 28-ta në mëngjes është në Vlorë dhe pastaj kthimi dhe finalizimi në Tiranë. Është një lloj maratone por e vërteta është se kjo është edhe trajektorja që ka ndjekur pavarësia në ato vite”, tha Berisha.
Kryeministri propozoi gjatë kësaj mbledhje që për të përjetësuar 100 vjetorin e pavarësisë, dy veprat publike me rëndësi kombëtare, Tuneli Tiranë-Elbasan dhe Autostrada Levan-Fier, të pagëzohen me emrat “Tuneli 100 vjetorit të pavarësisë” dhe “Autostrada 100 vjetori i pavarësisë”
“Shekulli është shekull dhe përsëritet vetëm pas 100 viteve. Prandaj dhe për të përjetësuar këtë 100 vjetor propozoj që tuneli Tiranë- Elbasan të marrë emrin “Tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë”. Autostrada Levan-Fier të marrë emrin “Autostrada 100 vjetori i pavarësisë. Ne kishim parashikuar vepra të tjera, por natyrisht rëndësia kombëtare e Tuneli i tejkalon të gjitha ato. Dhe unë mendoj që këto dy vepra të pagëzohen në shekullin e pavarësisë dhe janë të dyja vepra dinjitoze. Te mos harrojmë rrugën që kanë bërë 100 vjet më parë këta burra për të arritur deri në Vlorë dhe sot ky është një nga segmentet më të bukura të Shqipërisë dhe rajonit”, përfundoi Kryeministri.