Pse u kthye Edi Rama nga kooperativist në roje bregdetare?

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 Edi Rama gjendet më shumë se i dyzuar në qëndrimet që ai do të duhet të mbajë me aleatët e mundshëm, të koalicionit të tij të mundshëm zgjedhor. Dyzimi i cili e vendos atë midis patriotizmit dhe kozmopolitizmit, dukshëm ra në sy në fjalën e tij dje, në mbledhjen me “dy kohë” të grupit parlamentar të PS-së.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 kur Edi Ramës i duhet të fusë në koalicionin e tij edhe partinë e Vangjel Dules edhe të Kreshnik Spahiut, zhurma për “kufirin detar” është një “ferrë nëpër këmbë”. Duke mos mundur t’i kënaqë të dy këta aleatë të mundshëm, Edi Rama gati sa s’i lutej dje Kryeministrit Sali Berisha “që të bëjë gjithçka që i takon në respekt të historisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për ta rinegociuar këtë marrëveshje dhe për ta mbyllur këtë burim konflikti potencial që mund të bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm dhe ardhmërinë e dy vendeve tona, Shqipërisë e Greqisë…”.
Ajo që nuk e tha me zë e me figurë dje Edi Rama, por që u nënkuptua, ishte se jo ai që nuk do të bënte zhurmë për rinegocimin e kufirit detar me Greqinë, por as nuk do të lejonte të lehnin myslymët dhe pashajt në emër të “domosdoshmërisë që mes Shqipërisë dhe Greqisë të ketë miqësi, të ketë harmoni, të ketë bashkëpunim…”.
Duke arritur të mundësojë mos bërjen zhurmë për rindarjen e kufirit detarë me Greqinë, Edi Rama, përballë aleatëve të tij do të ketë mundësinë të bëjë rolin e njeriut me dy fytyra, duke kënaqur Vangjel Dulen dhe duke ndërsyer konen Kreshnik Saphiu, kundër Sali Berishës, si “shkaktari” i ndarjes së kufirit detar me Greqinë…
Skemë e vjetër kjo e Edi Ramës në gënjeshtrat e tij me aleatët. Më e fundit ishte ajo me Kodin Zgjedhor, kur të tjera gjëra ju premtonte aleatëve dhe të tjera gjerë nuk merrte përsipër të mbronte për interes ët tyre në Komisionin Parlamentar, duke bërë “të pafuqishmin” përballë qëndrimit, sipas tij, të Sali Berishës.
Nuk dihet sa do t’i ecë tentative më e fundit e gënjeshtrës ndaj aleatëve, por e sigurt është se Edi Rama ka flakur “uniformën” e kryekooperativistit dhe ka veshur “uniformën” e rojës bregdetare…
Sjellja e djeshme e Edi Ramës me padurimin e tij për “piketimin” e kufirit detar me Greqinë kishte edhe një tjetër anë të sjelljes së pafytyrë të tij…
E keni vënë re kohët e fundit, se Edi Rama për çdo gjë, për koncesionet, taksat, lojërat e fatit, për uzurpatorët e banesave të ish-pronarëve, për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë… etj…, etj…, premton se “do të ç’bëjë” ato që ka bërë qeveria Berisha, dhe “do ti bëjë nga e para” vetë, ashtu siç di ai… Por as dje, as më herët nuk premtoi asgjë për ndarjen e kufirit detar me Greqinë, prej atij vetë, kur të bëhet Kryeministër. Në këmbim të saj, ai e konsideroi si shpërfillëse dhe të parëndësishme faktin e 300 kilometër katrorë det që i paskan marrë “vendet fqinje”.
Nuk ka si të bëjë e të sillet ndryshe, sepse mosndarja e kufirit detar me Greqinë me gjithë “konsensusin” e tij të djeshëm deri në kufijtë e lutjes, i mban peng buzëqeshjen e premtuar Vangjel Dules dhe shkeljen e syrit Kreshnik Spahiut, si komandë, që duhet ta ndërsejë kundër Sali Berishës…