E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani takon anëtarët e KQZ-së: Zbatoni Kushtetutën, zgjedhjet janë të shqiptarëve

31-10-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një takimi të zhvilluar sot me trupën e re të KQZ-së, orientim vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht siç tha ai, situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor. Në takimin e zhvilluar sot në selinë e Presidencës, me kryetaren e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe anëtarët e institucionit të administrimit të zgjedhjeve, kreu i shtetit  nënvizoi se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike.
Gjithashtu presidenti Nishani u ka kërkuar anëtarëve të rinj të KQZ-së të përfaqësojnë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare.
Kreu i Shtetit solli në vëmendje edhe ftesën për t’u kosultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.
Ai i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor.
Presidenti Nishani u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.
Në emër të KQZ-së, Kryetarja Lefteri Lleshi e falenderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›