Berisha: Ju jeni për ekonomi shtetërore; Ruçi: 7 vjet në pushtet pa një ftesë në DASH
Në vazhdimësinë e diskutimeve në seancën e sotme parlamentare, lidhur me privatizimin e Albetrol, kryetari i grupit socialist i është drejtuar kryeministrit Berisha se problemi qëndron brenda qeverisë dhe jo me opozitën. Në këtë kontekst ai theksoi se problemet e tyre të brendshme nuk duhet të zbresin në Parlament. Më tej ai ka ironizuar komentet dhe pretendimet e mazhorancës rreth vizitës së kryesocialistit Edi Rama në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke u shprehur se PD në shtatë vite qeverisje nuk ka një ftesë zyrtare nga DASH, ndaj nga zilia i bëjnë karshillëk axhendës së Ramës.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha, duke rivlerësuar rëndësinë e privatizimit të Albetrol, ka theksuar se kjo opozitë është në një dashuri të pashtershme ndaj qeverisë dhe unike në botë sa i përket luftës ndaj privatizimeve. Berisha i quajti thjesht pretekste të kota dhe boshe pretendimet e opozitës, duke u shprehur se më mirë ekonomi private sesa shtetërore.
Në replikë me të, deputetja e PS-së Mimi Kodheli, tha se atdheu vetëm privat nuk mund të jetë dhe se duhet të mendohemi mirë kur privatizojmë cdo pjesë të tokës.