E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kabineti i piktorit, më i korruptuari i zgjedhur ndonjëherë në Shqipëri

TIRANE- Sali Berisha ka komentuar edhe sot mbledhjen e organizuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama me kabinetin e tij qeverisës, të bërë publik vetëm një ditë më parë.

“Të dashur miq, sot Piktori mblodhi në zyrën e tij kabinetin e vet qeveritar që është dhe ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri”, shkruan Berisha në Facebook.

Sipas tij, “Vet Piktori, përveç aferave si ish-ministër i qeverisë Nano dhe Kryetar 20% i bashkisë së Tiranës, është i vetmi kryeministër këto 20 vite në Europë që ulet në karrigen e kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5 katësh me burim financiar të panjohur. Ministri i Financave Cani është guvernatori që pasi vodhi apo bashkëvodhi Thesarin e Shtetit dhe pas zhdukjes së tij deklaroi se Banka nuk ka patur në Thesar flori. Ministrit të Shëndetësisë Beqja është i vetmi që iu hoq mandati i deputetit sepse me baxhanakun e Piktorit kishte bërë kërdinë me tendera në bashki. Ai ka fallsifikuar mijëra e mijëra pensione për të cilat po ndiqet. Ministri i Brendshëm Tahiri është i vetmi deputet me skaf dhe që iu arrestua i ati në flagrancë për kondrabandë ilaçesh dhe e ëma ndiqet për evazion fiskal në shumën 80 mijë euro. Ministri i Ekonomisë Ahmetaj është në ndjekje për vjedhjen prej 10 milion euro që i ka bërë kompanisë Albtelekom me kompaninë e tij private Hermes. Ministri i Mirqënies Sociale, më mirë të themi i mirqënies personale, Erion Veliaj është bërë i famshëm si njeriu që me paratë e Mjaftit ndërtoi një vilë për vete dhe një vilë për Velicen pa firmosur në jetën e tyre ndonjëherë në bordero. Ai më pas për të zhdukur gjurmët e kësaj afere vodhi vetë kompjuterin e financave të Mjaftit. Këto ishin vetëm disa nga aferat e disa prej anëtarëve të "ansamblit lukunia"! Këtij i thonë ndryshim! Përpara drejt Kleptokracisë”, komenton Berisha më tej.
(m.a/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Basha: Qeveria e re ekip eksperimental. Ministrat kamikazë personalë të Ramës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›