E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marku: Basha, deklarata besnikërie. PD-ja në krizën e mendimit të lirë

MARK-MARKUTiranë- Ish-deputeti dhe komentatori politik, Mark Marku, thotë për revistën JAVA se zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD është në fakt një akt vazhdimësie, më shumë sesa premisa për një profil të ndryshëm dhe një linjë të re në lidershipin e partisë. Ai thotë se PD funksionon sot si një garnizon ushtarak dhe se problemi kryesor që ka sot kjo forcë politike, është ai i lirisë së brendshme.

Çfarë prisni nga kryesia e re Basha? Cilat janë tiparet e pritshme të kreut të ri të partisë?

Lulëzim Basha, kryetari i ri i PD-së ka deklaruar mëse njëherë gjatë fushatës se ai do të jetë një kryetar i vazhdimësisë. Profili i tij i ardhshëm politik, suksesi apo dështimi i tij  do të varet shumë prej faktit nëse ai do ti përmbahet apo këtij angazhimi të deklaruar në fushatë. Nëse ai do ti përmbahet këtij angazhimi atëherë do të kemi një lider me tipare politike të ngjashme me atë të Bashës së deritashëm: një lider i cili ofron pamjen prej të riu për të legjitimuar para elektoratit një përmbajtje të vjetër.

Nëse nuk i përmbahet këtij angazhimi atëherë atij do ti duhet që pamjen e vet të re ta mbushë me një përmbajtje të re. Pikërisht kjo përmbajtje e re është edhe çelësi i pigmentit të ardhshëm të liderit të ri të sapozgjedhur të PD-së. Deri tani Basha na ka privuar prej kësaj përmbajtje, duke na ofruar vetëm deklarata përkushtimi dhe besnikërie.

A shënon ky një hap përpara për daljen nga kriza ku e futën PD zgjedhjet e 23 qershorit, apo Basha përbën një zgjedhje konjukturale, më shumë sesa një përzgjedhje të duhur?

Mendoj se PD del nga kriza me një analizë të thellë dhe një debat real të problemeve të saj. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe deri sa aty të kenë frikë për të diskutuar dhe debatuar asgjë reale nuk ka për të ndodhur. PD deri tani ka funksionuar me logjikën e një garnizoni ushtarak, madje të një garnizoni në luftë, ku është ndëshkuar çdo formë e mendimit të lirë. Kjo parti reformohet vetëm nëse shndërrohet në një forum të debatit të lirë, të mendimit të lirë dhe të konkurencës së ndershme.

Kriza e vërtetë e kësaj partie është mungesa e lirisë së mendimit. Ajo do të vazhdojë të jetë në krizë deri sa ti mungojë kjo liri. Nëse Basha krijon mundësitë që parametrat e lirisë brenda PD-së të ndryshojnë pozitivisht dhe radikalisht atëherë mund të themi se zgjedhja e tij do të jetë një hap përpara. Nëse nuk e bën atëherë zgjedhja e tij do të jetë një detaj i parëndësishëm në jetën e rëndomtë dhe monotone të një strukture politike të traumatizuar nga mungesa e lirisë.

Olldashi deklaroi se gara qe e deformuar. Ju si mendoni për vetë garën? Cila qe cilësia e saj?

Fillimisht duhet të pranojmë se gara, edhe pse e deformuar, shënon një përmirësim të standardeve demokratike brenda kësaj force politike, pasi për herë të parë kryetari zgjidhet me votë demokratike. Por mendoj se Olldashi ka të drejtë kur thotë se gara ishte e deformuar, edhe pse nuk e kam ndjekur me shumë vëmendje mënyrën se si është vepruar pas kulisave, pasi kam qenë krejtësisht i pa interesuar për tu përfshirë në të.

Me siguri Olldashi, që e ka ndjekur më afër garën,  ka më shumë të dhëna për mënyrën sesi është vepruar. Evidenca më e dukshme dhe që e vë në dyshim procesin, është fakti që fletët e votimit kanë qenë me numër serie, gjë që mund të shërbente si tregues për të identifikuar votën. Por megjithatë mendoj se edhe po të mos ishte një garë e deformuar, Basha do të ishte konfirmuar si lideri i ri i PD-së dhe kjo jo vetëm pse ai ishte i preferuari i Berishës, por edhe pse në sytë e anëtarësisë dhe të opinionit ai paraqitej si njeriu që mund ti ofrojë më shumë sukses elektoral PD-së në garat e ardhshme.

A projekton një opozitë të dobët zgjedhja e Bashës, apo mendoni se ai do të arrijë të adresojë sfidat komplekse që ka PD për të ardhmen?

Nisur nga nivelit i ulët i përfaqësimit dhe nga niveli i lartë i komprometimit të figurave kryesore të saj mendoj se ajo do të jetë një opozitë e dobët. Që të bëhet opozitë e fortë, kjo parti duhet të rikonceptohet tërësisht. Vetëm kështu ajo mund të shfaqet si një opozitë e fortë, alternative, efikase moderne. Dhe kur them e fortë nuk kam parasysh një opozitë revolucionare, por një opozitë të lidhur fort me interesat e qytetarëve dhe të projektuar fort në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›