E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kam humbur 4 dekada

Partia Demokratike ka festuar dje 18-vjetorin e Lëvizjes Studentore. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi Azem Hajdari si njeriun që hyri në historinë e kombit si lider i asaj lëvizjeje, që çliroi shqiptarët nga diktatura e egër. "Më 8 dhjetor, në krye të një grupi të gjerë studentësh dhe pedagogësh të rinj, ai, në një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit, zhvilloi një betejë që do gjunjëzonte diktaturën dhe solli vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri", theksoi Berisha. Ai shtoi se mbi katër dekada ka humbur në diktaturë. "Por unë sërish jam fatbardhë dhe i lumtur, sepse jam dhe do mbetem për jetë bashkëmoshatari juaj në idealet e lirisë, në qëllimet, në aspiratat, në ëndrrat, në projektet për vendin tim, që 18 vjet më parë do t‘i pagëzonim të gjitha së bashku ‘Shqipëria si Evropa‘, u shpreh Berisha. Duke iu përgjigjur pyetjes se cili ka qenë roli i kryetarit të PS në lëvizjen e Dhjetorit, Berisha tha se nuk i kujtohej prania e Edi Ramës në këtë lëvizje. "Nuk më kujtohet që ai të ketë qenë ditët e para. Erdhi më vonë, por për shkak të disa kritereve radikale ose gjysmëradikale të vendosura nga Partia Demokratike, nuk u pranua në lëvizje", tha Berisha. "Rama erdhi më vonë për t‘u bashkuar me Partinë Demokratike, por nuk e lejuan disa grupe", shtoi Kryeministri, pa dhënë detaje mbi veprimtarinë e tij personale gjatë viteve të diktaturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›