G99, çmime në ditën e rinisë
Në një ceremoni, ku nuk mungonin personalitetet e jetës publike dhe të fushave të ndryshme, G99 nderoi me çmimin "Të rinj që frymëzojnë 2008" nëntë të rinj të suksesshëm në fushat akademike, kulturore, artistike e sportive. Erion Veliaj shprehu kënaqësinë dhe krenarinë që gjendej i rrethuar nga heronj të vërtetë të heshtur e publikë, nga shembuj frymëzues që arrijnë të përçojnë te të gjithë mesazhin se suksesi arrihet me punë dhe përkushtim të ndershëm. "Për të gjithë ata prindër që sot kanë dilemën se cilët do jenë modelet e së ardhmes së fëmijëve të tyre, sot ne këtu kemi përgjigjen. Këta të rinj që marrin këtë çmim sot na japin çdo ditë një dozë të fortë kurajoje dhe shprese dhe për ne të tjerët, që aspirojmë sukses në fushat e tjera të jetës publike", tha Veliaj. Me çmime u nderuan Arbër Çepani, fitues i spektaklit reality show ‘Big Brother‘ dhe aktivist social, Gazmend Paja, aktor i humorit, Bieta Sulo, gazetare e emisionit ‘Top Show‘, Blend Salaj, pedagog në Universitetin ‘Marin Barleti‘, Jorida Tabaku, fituese në konkursin e biznesit "Students in free enterprise", Olta Boka, këngëtare dhe përfaqësues e Shqipërisë në Festivalin Evropian, Turjan Hyska, këngëtar i grupit ‘Produkt 28‘ dhe prezantues i disa emisioneve televizive, Rovena Marku, rekordmene noti dhe sportiste olimpike e Shqipërisë, si dhe Florida Tafa, sportiste rekordmene në olimpiadat speciale në Shangai.