Kërkesa, Ish-të përndjekurit, sot në Kushtetuese
TIRANË- Qeveria do të përballet sot me një tjetër betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Pas një sërë çështjesh të hapura, objekt i së cilave janë pretendimet për shkelje ligjore gjatë vendimmarrjes nga mazhoranca qeverisëse, Gjykata Kushtetuese do të nisë sot seancën për shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqatës së Dëbimeve dhe Internimeve Politike, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”.
Kërkesa
Dy shoqatat e mësipërme, prej më shumë se katër muajsh, kanë ankimuar si antikushtetues ligjin e miratuar nëntorin e shkuar, me argumentin se ai nuk respekton parimet e ligjit themeltar të shtetit, si dhe nuk përputhet me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe as me Rezolutën e Këshillit të Evropës për Dënimin e Krimeve Komuniste. Në relacionin që shoqëron kërkesën, shoqatat e ish-të dënuarve politikë denoncojnë një sërë shkeljesh të të drejtave dhe lirive të njeriut që qeveria ka bërë nëpërmjet një sërë dispozitash kyçe që përmban ligji në fuqi. Kështu, që në krye të saj denoncohen si antikushtetuese, kompetencat që ligji i ka dhënë komisionit qeveritar për dëmshpërblimin e viktimave të sistemit komunist. Ish-të përndjekurit vlerësojnë se ky komision i ka dhënë të drejta vetes që, në mënyrë antikushtetuese të bëjë veçimin nga e drejta për të fituar dëmshpërblim të rreth 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, duke i njohur këtë të drejtë vetëm 2 mijë prej tyre dhe pikërisht atyre që janë pushkatuar me gjyq brenda periudhës 30.11.1944 dhe 01.10.1990. Pala ankimuese vlerëson se ky veprim është arbitrar dhe i kundraligjshëm, pasi ekzekutimi për motive politike i atyre 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, është vërtetuar më parë nga një komision trepalësh, i caktuar nga qeveria. Një tjetër pikë, të cilën ish-të dënuarit politikë e konsiderojnë antikushtetuese, është edhe ajo që përcakton masën e dëmshpërblimit të familjarëve të të pushkatuarve. Sipas ligjit aktual, masa e dëmshpërblimit për të pushkatuarit është llogaritur sa tetë vjet burg, ndërkohë që çdo ditë burg është llogaritur në masën e 2 mijë lekëve të rinj. Ky përcaktim gjykohet nga pala paditëse si antikushtetues, pasi nuk bën një vlerësim të jetës së njeriut pa pasur asnjë referencë ligjore.
Përllogaritja
Nisur nga konstatimi i mësipërm, të dënuarit politikë kërkojnë që masa e dëmshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 viteve burg, si një masë dënimi e përafërt me dënimin kapital. Gjithashtu, shoqata që ka bërë ankimimin pretendon se ligji nuk ka llogaritur veçmas kohën e paraburgimit të ish-burgosurve të politikë, siç e përcakton Neni 57 i Kodit Penal, ku një ditë paraburgimi është barabartë me një ditë e gjysmë burgim. Një tjetër shkelje që evidentohet në relacion, është edhe ajo që ka të bëjë me kufizimin e së drejtës së trashëgimisë për të dënuarit vetëm në shkallën e parë të trashëgimtarëve. Ky përcaktim evidentohet si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin penal ku parashikohet e drejta e barazisë së shtetasve. Në materialin që shoqëron kërkesën në fjalë, theksohet se ky është një vendim i padrejtë, pasi vëllezërit, motrat dhe familjarët e tjerë, kanë të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit të të afërmit të tyre, për shkak se edhe ata kanë sakrifikuar ose kanë qenë penalizuar, në një mënyrë ose në një tjetër, për të njëjtat shkaqe. Duke qëndruar tek çështja e masës së dëmshpërblimit, ish-të dënuarit theksojnë se përcaktimi për ta kryer këtë proces brenda tetë vjetëve është i papranueshëm, pasi është shumë i gjatë dhe shumë prej ish-të dënuarve nuk do ta gëzojnë dot atë, për shkak të moshës dhe vuajtjeve nëpër burgje.