E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 dhjetori, diferenca e Lëvizjes Studentore dhe partive politike

8 dhjetori, dita që bën diferencën e një Lëvizjeje Studentore dhe një partie politike shënon 18-vjetorin e saj. Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ka marrë në dorë të drejtën ekskluzive të kësaj feste. 18 vjet më parë, një grup studentësh kanë bërë edhe demonstratën e parë kundër regjimit komunist. Me rastin e 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë dhe Pluralizmit, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Kryeministrinë do të organizojnë një sërë aktivitetesh.

Ndryshe nga herët e tjera, Partia Demokratike ka zgjedhur të festojë ditën e Rinisë, 8 dhjetorin veçmas nga festa e themelimit të Partisë Demokratike që është më 12 dhjetor. 8 dhjetori është dita e një kalvari të gjatë përpjekjesh të vështira të të rinjve për të çelur një epokë të re të historisë së Shqipërisë. Në dhjetor të vitit ‘90, të rinjtë me moton "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa‘ u mblodhën për të thyer vargonjtë e diktaturës më të egër në Evropë, dhe për t‘i hapur rrugë dritës së lirisë dhe demokracisë, për të cilën vuajtën breza të tërë.

Politizimi i 8 dhjetorit

Lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990, politizohet nga Partia Demokratike. Në ditën e rinisë, Kryeministri Sali Berisha nën moton "Shqipëria po ndryshon" organizon një koncert festiv në pallatin e sportit "Asllan Rusi" në Tiranë. Përmbajtja e skenarit do të revokojë emocionet e protestave për liri dhe demokraci të studentëve në vitet ‘90. Ky aktivitet do të shoqërohet me organizimin e një panairi rinor, i cili përfshin njohje me dokumente të rëndësishme të zhvillimit të këtij sektori dhe punën me organizata rinore. Nga ana tjetër, qeveria "Berisha" e cilëson veten si produkt të kësaj date. Ndonëse Partia Demokratike e ka pasur gjithmonë të vështirë të shkëpusë festën e PD-së dhe Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, duke e cilësuar si një binjakëzim që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Deputetët demokratë e cilësojnë Lëvizjen Studentore si paraprijësin e krijimit të Partisë Demokratike.

Festa

8 Dhjetori i vitit 1990 kujtohet nga të gjithë brezat në vend, nga të moshuarit dhe të rinjtë, nga ish-të burgosurit dhe të persekutuar[it, nga ata idealistë të shumtë që kërkonin një jetë më të mirë, që fjala e lirë të shpalosej anekënd vendit, nga Vermoshi në Konispol, që Shqipëria e të gjithëve të çante muret e izolimit dhe t‘i afrohej Evropës së qytetëruar. 8 Dhjetori i vitit 1990, që tashmë simbolizon Ditën Kombëtare të Rinisë Shqiptare, është dhe një ditë përkujtimore për ata mijëra e mijëra të rinj që bashkuan zemrat dhe shpirtin e tyre në protestat për ndryshimin e sistemit shoqëror e politik në Shqipëri. Ajo do të mbetet si një ditë e shënuar e mendimit të lirë shqiptar, e përpjekjeve të bashkuara për t‘i dhënë fund sistemit njëpartiak në vend drejt demokracisë pluraliste. Rruga e fitores së rinisë shqiptare drejt demokracisë dhe pluralizmit nisi atë ditë të ftohtë dhjetori të 1990-s, kur nga sheshi që tashmë quhet "Demokracia", të rinjtë me në krye tribunin e tyre, heroin e PD-së, Azem Hajdari. Lëvizja studentore u përhap shumë shpejt nga Tirana drejt rretheve të tjera të vendit, në Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë, ku studentët dhe gjithë brezi i ri demonstruan shpirtin e tyre të lirë, përgjegjësinë e madhe politike, duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm drejt sistemit pluralist demokratik.

Dhjetor 1990-2008

Më 8 dhjetor të vitit 1990 ndodhi rizgjimi më i madh i shqiptarëve, që nga koha e Rilindjes kombëtare. Studentët kryen aktin e mëvetësisë nga perandoria e së keqes, nga e shkuara komuniste e diktatoriale. Më 8 dhjetor, Shqipëria po lidhte paktin e shenjtë me rininë e saj...! Më 8 dhjetor 1990, nisi demonstrata e parë e Lëvizjes Studentore kundër diktaturës më të egër në Evropë. Bashkë me studentët që u përleshën me policinë dhe forcat speciale, u bashkuan edhe intelektualë të shquar, por edhe i gjithë populli që ishte i etur për liri dhe demokraci. Lëvizja Studentore u kthye në një revoltë popullore kundër regjimit më të egër. Menjëherë te studentët shkuan edhe figura intelektuale të atyre viteve si: Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Arben Imami, Preç Zogaj, e shumë intelektualë të tjerë. Ditët e lirisë u hapën më 8 dhjetor. Ditët e para të dhjetorit ‘90 i dhanë fund dilemës se nga do të shkonte shoqëria shqiptare. Një ideologji e vjetër dhe e egër si komunizmi, më 8 dhjetor ra duke goditur rëndë diktaturën. Planifikimi i centralizuar, telat me gjemba, përndjekja e intelektualëve dhe komandimi i shoqërisë morën fund më 8 dhjetor. Të rinjtë rebelë provuan të ishin më të fortë se diktatura, sepse kur kombet bëhen të lira, diktaturat dobësohen dhe shkërmoqen, derisa shkatërrohen.

18 vjet më pas

Berisha për 8 dhjetorin

Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha risolli në vëmendjen e shqiptarëve kujtimet e tij nga protesta e studentëve më 8 dhjetor. "Nga Lëvizja e Dhjetorit kam shumë momente. Do të flas për momentin e parë kur unë bashkë me dy miq të mi, më 8 dhjetor, pasi morëm vesh se studentët janë në demonstratë, për shkak se vendi ishte krejt i rrethuar me një prani ushtarake dhe policore të jashtëzakonshme, kemi mundur që nëpërmjet rrugicave të dalim e të gjendemi vetëm pak metra nga studentët që demonstronin", theksoi Berisha. Sipas tij, demonstruesit ishin të vendosur në Rrugën e "Elbasanit", 15-20 metra mbi rezidencën e ambasadorit italian që në atë kohë ishte muzeu "Lenin-Stalin" dhe po hidhnin parulla: "Liri, Demokraci!", "Poshtë dinastia!". "Aty kam parë për herë të parë liderin e tyre, Azem Hajdari, të cilin e ngrinin mbi shpatullat e tyre për të hedhur parulla", u shpreh Berisha.

Duke komentuar ndërhyrjet e forcave të policisë ndaj studentëve, Kryeministri Berisha veçoi se "brenda një kohe të shkurtër është bërë ndërhyrja më brutale kundër tyre, një ndërhyrje çnjerëzore, duke u vërsulur mbi ta forca të panumërta nga të dyja anët e rrugës, të cilët i kanë goditur në mënyrë çnjerëzore. Forcat ishin të armatosura, ndër të tjera edhe me sëpata, dhe natyrisht bashkë me dy miqtë e mi protestuam, u thamë se ky është një akt barbar, çnjerëzor, për të cilin ne do t‘u denoncojmë. Na thanë se studentët na gjuajtën me gurë, por fatmirësisht në rrugë nuk kishte asnjë gur. U thamë se ky është një mashtrim dhe ju jeni sjellë në mënyrën më barbare ndaj tyre".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›