E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kartat, opozita të kontribuojë

 

JORGJETA GJANÇI

Kryeministri Sali Berisha i kërkon opo-zitës, që të mos dekurajojnë procesin e pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, por të kontribuojë sa më tepër. Ky apel i kryeministrit është lëshuar pas inspektimit të kryer në komunën Çërravë të Korçës. “Unë ftoj opozitën t’i bashkëngjitet këtij procesi. Do të ishte mirë që deklaratat e tyre të përditshme të shndërroheshin me kontrolle në kuadrin e Komisionit parlamentar ose do të ishte mirë që deklaratat e tyre të ishin më pak politike”, deklaroi Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “nuk duhet të ndjellim pesimizëm dhe dëshpërim në një akt shumë të rëndësishëm. Ndaj, unë e ftoj opozitën që ta ndihmojë këtë proces”. “Qeveritarët vendorë të opozitës, të cilët e kanë në dorë procesin në qytetet e mëdha të vendit le të shprehen për çdo shqetësim, që lind dhe në këtë mënyrë ne mund të korrigjojmë me shpejtësi procesin. Ata të shprehin mendimet pavarësisht se cilit spektër politik i përkasin. Por, ata nuk duhet të politizojnë gjërat, të cilat mendoj se nuk janë as interes i opozitës”, theksoi Berisha. Kryeministri ka shprehur edhe një herë angazhimin e qeverisë për realizimin e zgjedhjeve të lira, sipas standardeve të kërkuara. “Ndaj, pres që t’u dëshmoj të gjithë qytetarëve se kjo qeveri ia doli me përkushtim të madh të respektojë vullnetin e tyre të lirë. Ia doli që ata të votojnë si qytetarë evropianë. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë që nuk ka interes për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, unë mendoj se nuk duhet të ketë deklarata të përditshme pesimiste prej tyre, sepse siç po shohim, këtu dhe në të gjithë vendin, ka plot qytetarë që po aplikojnë. Në Tiranë nga 80 mijë qytetarë pa pasaporta, para datës 1 prill 60 mijë prej tyre kishin aplikuar dhe pas kësaj date vendimi i qeverisë ka ndaluar aplikimet për personat që kanë pasaporta”, deklaroi Berisha. Ndërsa ka bërë të ditur se së shpejti do të vendoset skema e rimbursimit për kategoritë e ndryshme që kanë aplikuar për karta e identitetit. “Qeveria në një kohë shumë të shkurtër do t’ua rimbursojë atë vlerë, ashtu sikurse ajo ka premtuar. Po merren të gjitha masat me qëllim që javën që vjen ne të shpallim skemën e përshpejtimit të plotë të procesit të rimbursimit të shumave, që qytetarët meritojnë nga aplikimi i tyre. Ashtu siç është thënë edhe më parë, në bazë të kritereve të përcaktuara do të rimbursohen pensionistët, për qytetarët me ndihmë ekonomike me 2 mijë lekë, për studentët me 2 mijë lekë, ndërsa për komunitetin rom, egjiptian dhe tetraplegjikët do të jenë falas”, theksoi Berisha. Kreu i Ekzekutivit zhvilloi një takim me të rinjtë në qytetin e Korçës. Kryeministri Berisha vlerësoi dje në takimin me të rinjtë korçarë kreun e ri të forumit rinor Gerti Bogdani. “Dhe tani dua t’ju paraqes ju, liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gert Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo që shkoi, ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipërinë, për të ecur së bashku drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian, drejt Shqipërisë së zhvilluar”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›