E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ambiente sportive për të rinjtë

 

Aristir Lumezi

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, prezantoi në Fushë-Krujë kandidatin e kësaj partie Agim Xheka gjatë një takimi me banorë dhe mbështetës në këtë qytet. “Tani është Koha për Veprim. Është koha për punësim, është koha për të shpëtuar bujqësinë nga katastrofa, ku e ka zhytur braktisja dhe harresa e kësaj qeverie”, u shpreh Meta. Gjatë këtij takimi, kryetari i LSI-së ka marrë garancinë nga banorët e Fushë-Krujës për fitoren e padiskutueshme të LSI-së, si një alternativë e qartë dhe konkrete që do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe do të rrisë mirëqenien e shqiptarëve përmes planit konkret që ka LSI për punësimin. “Fushë-Kruja ka qenë gjithnjë qendra e së majtës, sepse ky është një popull i mrekullueshëm, një popull solidar, një popull patriot, që e meriton alternativën tonë, si alternativa më e sigurt për të larguar një herë e mirë pensionistin Berisha në 28 Qershor, sepse rinia e Fushë-Krujës dhe e gjithë Shqipërisë nuk mund të qeveriset më nga Sali Berisha”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha se, “ne jemi një alternativë e qartë, një alternativë e majtë, një alternativë progresiste, e cila do të garantojë punësim për ju dhe për të gjithë shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme. Që do të garantojë një rol më të madh të shtetit për të ndihmuar qytetarët e tij”. Meta akuzoi dje kryeministrin Berisha se nuk kujdeset për asnjë kategori shoqërore, as për moshën e tretë për të cilën LSI depozitoi në Kuvend një projektligj. “Sali Berisha, edhe pse ka moshën e pensionit, nuk i bëhet vonë për pensionin e tij, sepse pensionin ia siguron Fazlliçi. Por, pensionistët dhe veteranët e nderuar në të gjithë vendin, nuk jetojnë dot dhe nuk paguajnë dot as faturat e energjisë elektrike dhe as të kurohen për problemet shëndetësore, me pensionet e sotme”, tha Meta.
Me të rinjtë
Kryetari i LSI-së ishte dje në ambientet e Klubit Sportiv “Partizani”, ku ka zhvilluar një ndeshje futbolli me të rinjtë e LRI-së. Në këtë aktivitet, Meta u shpreh se, “ne jemi sot këtu në ambientet e klubit të njohur ‘Partizani’, pikërisht për të qenë pjesë e një aktiviteti sportiv mes vajzave dhe djemve të Lëvizjes Rinore për Integrim, për t’u takuar edhe me ekipe zinxhirë me fëmijët, të cilët kërkojnë t’i shpenzojnë energjitë e tyre duke zhvilluar talentin dhe pasionin e tyre, futbollin. Ndaj, tha ai, me këtë rast dua të siguroj të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e Shqipërisë se LSI do të ndalë shkatërrimin e klubeve dhe ambienteve sportive në të gjithë vendin”. Sipas tij, “LSI është e vendosur t’i japë prioritet shumë të rëndësishëm zhvillimit të sportit, duke nisur me mbrojtjen e terreneve aktuale sportive, me investimin për të krijuar shumë terrene të tjera sportive, si pranë shkollave 9-vjeçare, të mesme apo universiteteve, ashtu edhe nëpër lagje dhe në zona të ndryshme të qyteteve tona, pasi është e rëndësishme që rininë tonë ta mbajmë sa më larg tymit të duhanit, sa më larg drogës, sa më larg një jete pasive dhe monotone”, tha Meta.

Dule: Për koalicionet vendosim më 9 maj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis është kandidati kryesor për deputet i PBDNJ-së për Tiranën. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie do të jetë në krye të kësaj liste për qarkun e Tiranës. Kandidatura e tij u shpall nga vetë kreu i kësaj partie Vangjel Dule gjatë diskutimit të kandidaturave për qarkun e Tiranës. Në fjalën e tij, Solis u shpreh se “është shumë optimist që Tirana do ta zgjedhë si deputet të ardhshëm të Kuvendit”. Ndërsa Dule ka bërë të ditur se PBDNJ ende nuk e ka vendosur mënyrën se si do të dalë në këto votime, si subjekt më vete apo si koalicion politik. “Deri më datën 9 maj debati ynë i brendshëm do të na ketë sjellë edhe konkluzionin nëse PBDNJ-ja do të jetë subjekt elektoral më vete apo në kuadrin e një koalicioni më të gjerë”, theksoi ai. Dule e ka cilësuar si parësore disiplinimin e strukturave, programi politik për këto zgjedhje, se sa dalje ose jo në një koalicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›