“Qeveria urgjentisht me paketë anti-krizë”
Anëtari i kryesisë socialiste dhe ish ministri socialist i financave Arben Malaj i kërkoi dje qeverisë që të ndërmarrë sa më shpejt një paketë konkrete anti-krizë. Pas paralajmërimit të FMN se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 mund të jetë zero ose edhe më pak, pas refuzimit të këshillave FMN, BB, BE për politika të kujdesshme të taksave dhe shpenzimeve, pas refuzimit të kërkesave të përsëritura të Bankës Qendrore për të respektuar këto paralajmërime, qeveria Berisha në panik po rrit keqpërdorimet buxhetore dhe arrogancën elektorale”, tha Malaj. Sipas tij, socialistët nuk janë kundër rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve, “por jemi qartësisht kundër çdo rritjeje abuzive thjesht elektorale, që nesër do t´i bëjë pensionet, pagat, asistencën për të paaftët dhe të papunët të vlejnë më pak”. Duke folur për rrugën Durrës-Kukës, Malaj tha se “në asnjë vend të Evropës 10 % e GDP-së nuk përdoret për një rrugë 100 km të gjatë”, ndërsa kërkoi thellim të hetimeve nga ana e prokurorisë por këtë rrugë.