Berisha: Katër vitet e ardhshme, vitet e rritjes së pagave dhe zhvillimit ekonomik

Kryeministri Berisha prezanton në konferencën për shtyp, 3 shtyllat kryesore të programit të PD për punësimin dhe zhvillimin ekonomik gjatë mandatit të tretë qeverisës të demokratëve
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë të posaçme për shtyp se, 3 shtyllat kryesore të Partisë Demokratike për punësimin e shqiptarëve në 4 vitet që vijnë janë: programi për punësimin, liria e tregut dhe marrja e statusit të vendit kandidat. Kreu i qeverisë u fokusua gjerësisht te reformat e qeverisë gjatë 4 viteve të ardhshme për forcimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit, ndërsa pas 10 ditësh, do i paraqesë shqiptarëve, skemën sesi qeveria do të mundësojë rritjen e pagave për qytetarët shqiptarë.
“Në përpjekjen tonë për punësimit ne kemi shfrytëzuar të gjitha potencialet. 4 vitet që vijnë ne do paraqesim para shqiptarëve, pas bilancit për 4 vitet që shkuan krijimin e vendeve të punës sipas çdo sektori. Projekte gjigante në horizontin e qeverisë. Qeveria do të kontraktojë firmat më serioze për hartimin e projekteve të tjera të mëdha. Për t’ia ofruar ato biznesit ndërkombëtar duke pasur si kriter punësimin e mijërave qytetarëve. Nga nesër dhe në vijim do ju paraqesim shqiptarëve në termat më realiste programin tonë të punësimit në të gjitha fushat. Ne këto premtime, këto projekte dhe zotime i marrim bazuar në arritje reale që kanë bërë të vlerësojnë Shqipërinë një histori të vërtetë suksesi dhe vendi i vetëm ku u ul papunësia. Pra, shtylla e dytë kryesore do jetë reforma e thellë e tregut të punës. Ne kemi hedhur disa baza, në 4 vitet që vijnë do ndërtojmë ndërtesën e kësaj reforme që do e bëjë më të mbrojtur nga kriza ekonominë shqiptare”- u shpreh Berisha. Kryeministri iu rikthye çështjes së referendumit për 3 ligjet që do i hapnin rrugën Shqipërisë për në BE. Duke sulmuar opozitën, Berisha i la afat PS-së deri më 23 qershor, për të dhënë konsensusin, ose përndryshe shqiptarët do i japin përgjigjen më të mirë përmes votës në referendum. “Shtylla e tretë më kryesore ku ne bazojmë punimin është integrimit në BE. Së pari statusit i vendit kandidat. 23 qershori po afron. Gjer me 23 qershori ne jemi të gatshëm të mbledhim parlamentin vetëm për të votuar ato 3 ligje. Por në rast se pala tjetër me një vullnet të sëmurë, vijon dhe insiston bllokimin e tyre ne në afatin më të parë ligjor do të thërrasim referendumin dhe unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarët do të zhbllokojnë dhe do i japin përgjigje më të mirë procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat”, shtoi Berisha. Shefi i ekzekutivit solli në vëmendje dhe risitë e fushatës elektorale të kampit blu. Berisha nënvizoi se lider për prezantimin e programit të PD-së do jenë tavolinat e rrumbullakëta me grupet e interesit ku do shqyrtohet çdo element të programit, teksa sqaroi se nuk do bëhet viktimë e debatit politik me PS. “Deri më 31 maj do të ketë takime intensive, komunikimi rrugë kryesore dhe tryezat e rrumbullakëta. Nuk më ka ra pasioni për debatet as për mitingjet, por zgjedhjet janë një festë e madhe dhe jo gjithnjë festat festohen në të njëjtën mënyrë. Risi konventat, një seri konventash që do të finalizojnë programet madhore të PD deri në konventën e fitores”, deklaroi kryeministri. Ndërkaq, Berisha komentoi dhe aktualitetin politik, duke u ndalur te prezantimi i kandidatëve të PS-së, akuzat e Edi Ramës nga Dibra si dhe debatet televizive. Kryeministri theksoi se Edi Rama po zhbën listën e deputetëve si dhe po ushtron terror në parti. Lidhur me akuzat e kryesocialistit, Berisha i cilësoi ato si sharlatanizëm politik dhe qesharake. Duke komentuar çështjen e mungesës në debatet televizive, Berisha deklaroi se “i jam përkushtuar takimeve me zgjedhësit”, ndërsa sqaroi se, “nuk pranojmë të na imponohen debate nga askush”.