Berisha: Kemi ritme kineze në urbanizim, jemi si Norvegjia në energjetikë dhe si Kanadaja për nëntokën
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në një forum biznesi, ka deklaruar se Shqipëria ka ritme kineze për urbanizimin.
Vij këtu nga një konferencë urbanizimi. Para se të shkoja në atë konferencë, u detyrova ti hedh një vështrim procesit të urbanizimit në planet dhe gjej se në këtë kohë Kina në 20 vite është urbanizuar aq sa Britania në 80 vjet. Shqipëria nga vitet 90 deri në 2011-ën ka ritme kineze urbanizimi, ndër ritmet më të larta, tha Berisha.
Kryeministri tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha natyrore dhe në këto kohë ka njohur një rritje të investimeve të huaja prej 316%. Berisha tha se Shqipëria është njësoj si Norvegjia për potencialin energjetik.
Berisha madje e krahasoi Shqipërinë me Kanadanë për nëntokën. Ai tha se rëra bituminoze këtu është më e mirë se atje.
Shqipëria ofron platforma të mëdha gazi. Shqipëria është vend i pasur me hidrokarbure. Shqipëria është e pasur në rezerva të mëdha minerare. Shqipëria është e pasur me bitum e rëra bituminoze, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se kriza në Europë erdhi për shkak të taksave të larta. Ai u shpreh se qeveria e tij ka ofruar një regjim fiskal favorizues për biznesin.