India nxeh më shumë garën e armatimit me Kinën (FOTO)
India bëri të ditur sot në mëngjes se ka testuar me sukses një raketë me rreze të gjatë, e aftë për të mbajtur mbushje bërthamore.
Raketa me rreze 5 mijë kilometra mund të godasë Pekinin dhe më tej. Qeveria shpreson se raketa AGNI V, me vlerë 500 milion dollarë, do e kthejë vendin aziatik në një superfuqi.
Po ashtu raketa shihet si një ndihmë për Indinë në përplasjet për kufijtë me Kinën.
Një hartë e publikuar tregon se raketa mund të godasë Europën dhe Afrikën lindore.
Megjithatë mbetet ende e paqartë nëse raketa arriti atë rreze prej 5 mijë kilometrash siç shpreson India.
India në këtë mënyrë i bashkohet klubit elitar bërthamor të Kinës, Rusisë, Francës, SHBA-së dhe Britanisë, që kanë raketa të tilla, por natyrisht me një rreze shumë më të gjatë. Izraeli mendohet po ashtu se ka të tilla.
Provat u kryen në ishullin Wheeler. Paraardhësja e AGNI V kishte një rreze prej vetëm 3.500 kilometra.
Ministri i Mbrojtjes tha se vendi i tij tani është më i madh.
India është shumë larg Kinës në garën e raketave, pasi Kina ka raketa balistike interkontinentale. Por indianët mendojnë se tanimë duhen marrë në konsideratë. Ndërsa Kina nuk e merr në konsideratë Indinë dhe kërcënimet e saj, ne përfundimisht nuk mendojmë kështu, tha një analist për mbrojtjen në Indi.
Për momentin India mund të godasë në çdo vend të rivalit të saj më të ashpër, Pakistanit, por është angazhuar për të reaguar edhe ndaj rrezikut kinez.
Sivjet India mori një nëndetëse bërthamore nga Rusia dhe pritet që të marrë nga ky vend dhe një aeroplanmbajtëse, të risjellë në jetë.
Raketa AGNI do të thotë zjarr në gjuhën hindi.




