E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita të vijë në Parlament, pastaj kushtet

“Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri, plotësuan angazhimet kryesore të organizatës së OSBE – ODHIR- it dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të patur, dhe janë të pakta vendet që i kanë zgjedhjet të përsosura. Arbitri ndërkombëtar ka bërë një seri sugjerimesh. Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar...; zgjedhjet janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare, ne nuk mund t'i ngatërrojmë gjërat”, tha Berisha.

Ai shtoi se e mirëpret opozitën, “të vijë në parlament, e garantoj se sikundër ka përcaktuar thuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi tek komisionet, sërish i njoh asaj të drejtën, dhe përsa kohë të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi”.

Për sa i përket zhvleftësimit të monedhës kombëtare, Lekut, Berisha tha se fjalët e tij për futjen e Euros ishte keqpërdorur nga media.

“Realiteti është ky, gjatë gjithë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7% deri në 10%, dobësim i cili nuk është problematik. Përderisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve, nuk përbën një problem serioz. Natyrisht ka pasoja pozitive dhe negative. Pasoja pozitive është favorizimi i eksportit, pasoja negative, është shtrenjtimi i kredive. Por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti krejtësisht të pranueshëm. Banka e Shqipërisë, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi, dhe në limitete e kësaj lëvizjeje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata..? Unë nuk përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak të menjëhershëm”, tha kryeministri i Shqipërisë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›