E Diel, 1 Nëntor 2026

"Living Room" Si u ngrit lokali që po shurdhon banorët

Lokali "Living Room" ndodhet në rrugën "Xhorxh Bush" në kryeqytet në një ndërtesë dykatëshe. Ai ka nisur punë në këtë zonë në fund të vitit 2004 dhe si pronari i lokalit njihet zoti Blendi Bombaj. Fillimisht lokali ka marrë leje për bar-restorant por më pas është shndërruar në pub.

Sipas Ilir Sopotit, banor i zonës, në këtë lokal janë parë shumë shpesh ish-ministri Blendi Klosi dhe ministri aktual Sokol Olldashi. "Unë e kam parë personalisht shumë herë në orët e vona të natës Z. Blendi Klosi duke dale nga "Living Room" dhe kam parë edhe fuoristradën e tij të deputetit (Mitsubishi ngjyre blu) të parkuar në rrugicën "Myrteza Kelliçi". Persona të tjerë më kanë thënë se ai është përnatë në lokal.

Ndërsa thuhet se duke filluar nga Shtatori 2005 dhe deri me sot është parë vazhdimisht ta frekuentoje këtë lokal edhe Z. Sokol Olldashi",- thotë Ilir Sopoti. I kontaktuar nga "Shekulli" për këtyë gjë Blendi Klosi ka pohuar se nuk është më klient i atij lokali. "E kam frekuentuar kohë më parë por tani jo më. Kam kohë që nuk shkoj aty dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë lokal",- tha Klosi. Ndërkohë Sokol Olldashi nuk i është përgjigjur telefonave dhe sms-ve të gazetarëve të "Shekullit".

Në maj 2005 "Living Room" nisi zgjerimin duke kryer punime në tarracën e ndërtesës dykatëshe. Aty u vendosën konstruksione metalike dhe pedana, karrige, tavolina dhe bokse të mëdhenj muzike. Sipas banorëve, në këtë kohë nisi edhe stresi i lokalit. Pak muaj më pas banorët i kanë dërguar letra edhe kryeministrit Berisha por pa marrë asnjë përgjigje. Në muajt prill dhe maj të vitit 2006 në këtë lokal u kryen punime shtesë por asnjë institucion nuk reagoi. Edhe sot lokali vazhdon që të punojë në dy kate, pjesën brenda dhe tarracë, pa pasur leje për të qëndruar hapur pas orës 23.00 dhe aq më tepër pa pasur leje për të mbajtur muzikën e lartë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›