Berisha: Këtë mandat, do t’i japim një rëndësi të madhe arsimit parashkollor Kryeministri Berisha në shkollën 9–vjeçare Isa Domi, fshati Pjezë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9–vjeçare “Isa Domi” në fshatin Pjezë, komuna Xhavzotaj. Shkolla, me vlerë 330 milionë lekë, është ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit. Duke parë më nga afër ambientet e kësaj shkolle, Kryeministri Berisha u ndal fillimisht në një klasë të arsimit parashkollor. Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që në çdo shkollë të ketë edhe kopshte, në mënyrë që nxënësit të fillojnë të marrin dijet parashkollore në mënyrën më të organizuar.
”Këtë mandat, kemi synim të ngremë kopshte kudo që mundemi, brenda apo pranë shkollave, në mënyrë që t’i japim një rëndësi të madhe arsimit parashkollor”, deklaroi kreu i Qeverisë. Më pas, Berisha vizitoi kabinetin e Informatikës dhe një klasë ku po zhvillohej mësimi i lëndës së fizikës. Në vazhdim, ai mbolli një rrënjë ulliri në lulishten e kësaj shkolle. Në këtë aktivitet kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, deputetë, drejtues të pushtetit lokal, etj.