E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këtë vit eksportet “Made in Albania” u rritën 70%

KORçë- Ekonomia shqiptare ka shënuar zhvillimet më të mëdha reale dhe më pozitive gjatë vitit 2010, mes të cilave evidentohet një rritje me 70 përqind e eksporteve “Made in Albania”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha të premten, në ceremoninë e përurimit të godinës së re të një fabrike birre, një investim i biznesit privat me vlerë mbi 20 milionë euro.
Duke e konsideruar përurimin e godinës së re të fabrikës dëshmi të gjallërisë së ekonomisë shqiptare, Berisha tha se "ky inaugurim ndodh në një kohë, kur vende të tjera të Europës janë kapur nga një krizë e rëndë ekonomike".

Berisha vuri në dukje se ky zhvillim ka një rëndësi kapitale, sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi reale, një ekonomi me gjallëri të madhe, e bazuar në lumenj djerse dhe mund, por problemi i saj madhor ka qenë deficiti tregtar, i cili është kompensuar dhe kompensohet nga mundi, djersa dhe dashuria që kanë për Shqipërinë, për familjet e tyre, emigrantët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri solli në vëmendje se qeveria që drejton ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europe dhe botë për bizneset.
Kryeministri e cilësoi si një arritje historike faktin se Shqipëria nga vendi me investime të ndaluara në Europë dhe botë, është sot vendi që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së.
“Për ne, shqiptarët, është një arritje historike fakti se investimi në gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së është 7 pikë përpara, 7 përqind më i mirë”, tha Berisha, duke theksuar se “në këto pesë vite, ne e ndryshuam mjedisin për investimet”. Në drejtim të investimeve, siç informoi Berisha, Shqipëria qëndron në pozicionet më të larta, në vendin e 14-të në botë, sikurse është një nga vendet me liri fiskale më të lartë në botë, mbi 94 përqind.
Kryeministri informoi se reformat do të thellohen më tej. “Ne do të bëjmë gjithçka dhe nuk do të ndalemi derisa Shqipëria të qëndrojë në krye përsa i përket klimës së biznesit. Ne besojmë se pikërisht në këto reforma qëndron dhe leva e Arkimedit, për ta ndryshuar me shpejtësi këtë vend”, u shpreh Berisha, duke nënvizuar se asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shpejt se Shqipëria.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›