E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i Nënë Terezës aktivitet në nderim të nobelistes shqiptare

PRISHTINë- Në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, në Prishtinë, i cili zhvillon punimet këtë javë, sot po mbahet tryeza kushtuar humanistes së madhe, nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së saj, në këtë vit të shpallur në Kosovë “Viti i Nënës Terezës” nga Presidenti shtetit më të ri evropian, Fatmir Sejdiu.

Në emër të insitucioneve të Republikës së Kosovës, përshëndeti ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, i cili tha se “Nën patronatin e Presidentit të Republikës, Qeveria ka ndërmarrë të gjitha veprimet për shënimin e këtij Jubilu të madh”.

Ipeshki i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka përshëndetur seminarin si dhe tryezën kushtuar Nënës Terezës. “Dëshiroj të falënderoj organizatorët e këtij seminari që sot ia kushtojnë këtë seancë Nënë Terezës, për të cilën keni dëgjuar dhe sigurisht jeni të lumtur që një njeri i tillë ka jetuar në botë, në thjeshtësi dhe në dashuri, duke investuar tërë jetën e vet në shërbim të tjerëve”, tha ai.

Shënimi i 100-vjetorit të Nënës Terezë në Kosovë ka filluar me një akademi solemnne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe. Më atë rast, Imzot Dodë Gjergji ka theksuar se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.
Në akademinë solemne, duke e shpallur vitin 2010 “Viti i Nënës Terezë”, Presidenti i Kosovës ka theksuar se “tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të çmimit Nobel, duke ia nënshkruar Don Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, i shkroi këto fjalë: ‘Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve.”
Don Lush Gjergji në tryezën e sotme tha se “çdo njeri vullnetmirë, sidomos ne shqiptarët, bijt dhe bijat shpirtërore, duhet që në jetën e Nënës Tereze ta gjejmë nënën tonë, ta gjëjmë frymëzimin për jetë dhe për veprim”.

Pjesëmarrësit e tryezës, e cila po mbahet në ambientet e Universitetit të Prishtinës, vizituan Katedralen Nëna Terezë, e cila po ndërtohet aty atër, në qendër të kryeqytetit të Republikës së Kosovës.

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, udhëheq punën e ndërtimit të Katedralës, ku pritet të mbahet mesha solemne më 5 shtator 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezë.

Në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, në dy sesionet e tij, të gjuhësisë dhe atë të letërsisë, në temat kryesore “Kontaktet e sotme të shqipes” dhe “Poezia e sotme shqipe”, pritet që numri i kumtesave të paraqitura të jetë më shumë se njëqind.

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, sipas Don Lush Gjergjit, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›