E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi e Roma gati për Superkupën e Italisë

TIRANE-Interi dhe Roma do të luajnë të shtunën në mbrëmje në San Siro finalen e Superkupës së Italisë, në sfidën që do të vendosë dy rivalet më të forta të viteve të fundit në Serinë A.
Dy skuadrat luftuan deri në javën e fundit për titullin kampion një vit më parë, ndërsa u përballen edhe në finale të Kupës së Italisë. Në të dy rastet ishte Interi ai që arriti të triumfonte, ndërkohë që verdhekuqtë e mbyllën sezonin pa trofe edhe pse kishin dalë fitimtarë në takimet direkte. Për trajnerin Rafa Benitez kjo është ndeshja e parë zyrtare me kampionët e Evropës dhe ai dëshiron ta nisë aventurën me trofe. “Duhet të fitojmë shpejt e shpejt, - deklaroi Benitez. – Jam i vjetër dhe nuk kam aspak nervozizëm në prag të ndeshjes së parë, por ne duhet të sulmojmë që nga fillimi dhe ta mbyllim ndeshjen”, shtoi ai. Spanjolli është shprehur se i druhet Romës, duke parë përqendrimin dhe dëshirën e madhe për ta fituar këtë trofe.

Në krahun tjetër, Roma duket e motivuar në maksimum për të triumfuar ndaj zikaltërve. Trajneri Klaudio Ranieri pritet të ulë në stol Adrianon, ndërsa do të hedhë në fushë nga minuta e parë dyshen sulmuese Françesko Toti-Mirko Vuçiniç. “Do të tentojmë deri në fund, duam ta fitojmë këtë trofe, - deklaroi tekniku i Romës. – Nuk do të jetë e lehtë kundër Interit, por ne do të japim gjithcka. Jemi të bashkuar dhe të shtunën do ta tregojmë këtë”. Në lidhje me largimin e Murinjos, Ranieri u shpreh se portugezi nuk i mungon, pasi gazetarët ia kujtojnë çdo ditë.

(d.b/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›