E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këtë vit nis ndërtimi i tre akseve të mëdha

Sipas Berishës, këtë vit do të nisë të ndërtohet rruga Tiranë-Elbasan, Berat-Tepelenë, pjesë e Boshtit të Jugut dhe Tiranë-Klos, pjesë e rrugës së Arbrit.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj, - tha Kryeministri - se po përfundojnë tre projektet e akseve të mëdha rrugore, të cilat do të bëjnë të mundur që qytetarët shqiptarë nga Saranda, Konispoli, Gjirokastra, Pogoni, Leskoviku, Korça, Peshkopia, Bulqiza, Elbasani, Tepelena, Memaliaj, Klosi, të vijnë në Tiranë për një kohë 50 deri në 70 për qind më të shkurtër”.

Sipas kryeministrit, Elbasani vjen në distancën e Vorë-Tiranë dhe projekti është bërë nga një ndër kompanitë më serioze italiane. Ndërkohë, do të ndërtohet edhe Boshti i Jugut Berat-Tepelenë, me urat dhe tunelet e tij, projekt i cili po bëhet nga një kompania kuvajtiane, ndërkohë që do të financohet nga qeveria e Kuvajtit.

“Qytetarët e Peshkopisë ëndërrojnë që rruga e tyre tradicionale, me të cilën kanë zbritur me shekuj në Tiranë, të shndërrohet në autostradë dhe qeveria këtë po e bën realitet, përveç faktit tjetër që kjo rrugë afron Shkupin me Tiranën 103 kilometra”, tha gjithashtu kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›