Berisha: Këto zgjedhje s'kanë të fituar, por as të humbur
Për herë të parë, Berisha ka ftuar qytetarët që të ndjekin rezultatin me maturi, pa krijuar idera të triumfatorëve dhe humbësve. Vlerëson pjesëmarrjen në zgjedhje.
TIRANË - Si asnjëherë tjetër, Kryeministri Sali Berisha, vetëm pak minuta pas përfundimit të procesit të votimit, ka mbajtur një qëndrim krejt tjetër nga ajo e mbajtur ndër vite.
Kreu i ekzekutivit, i bindur në një fitore të sigurt, ose anasjelltas, në një humbje të sigurt, ka mbajtur një qëndrim krejt neutral, gjatë deklaratës së tij për procesin zgjedhor, duke mos dalë për herë të parë në karrierën e tij politike në përfundime paraprake dhe as në ato të bazuara në sondazhe, për të cilat, ai u shpreh se nuk u beson.
Për këtë arsye, ai u ka bërë thirrje përkrahësve të forcave të ndryshme politike, që të presin rezultatin përfundimtar, që do të publikojë KQZ-ja. "Unë do t'i ftoja të gjithë qytetarët që të ndjekin rezultatin me maturi, me qytetari, pa krijuar idera të triumfatorëve dhe humbësve.
Në fakt, nuk është kështu, e them me bindje, e kam përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë fushatës, këtu fiton çdo qytetar shqiptar me projektin europian, të cilin, siç duket, e kanë shumë për zemër.
Pres me qetësi në zyrën time rezultatin deri në orët e vona, se unë e kam ditën e gjatë, deri nga ora 02-03. Të gjithë duhet të ndjekin këtë rezultat me vëmendje, me interes, me dinjitet, siç u ka hije", - tha dje Berisha.
Duke folur vetëm pak minuta pas procesit të votimit, Kryeministri Berisha foli për një tjetër proces po aq të rëndësishëm, atë të numërimit. "Faza më e rëndësishme edhe më delikate është faza që vjen, por unë kam besim të plotë, së pari, tek komisionerët, të cilët e menaxhuan me dinjitet procesin elektoral.
Me shkallë të lartë përgjegjësie ligjore zbatuan ligjin dhe kanë meritë të veçantë. Së dyti, kam besimin më të madh tek forcat e policisë, Policia e Shtetit. Siç jeni dëshmitarë, në këtë fushatë ka pasur zero implikim të forcave të rendit në procesin elektoral, madje shumë prej tyre mund të kenë mbetur pa votuar, për shkak të detyrës, sepse janë transferuar në rrethe të ndryshme.
Kam besim të plotë se në traditën e tyre të shkëlqyer, edhe të vitit 2005, edhe të vitit 2007, ata kanë bërë transportin e përkryer të materialit. Së treti, besimi më i madh është tek numërimi, që do të jetë elektronik dhe mund të ndiqet", - tha ai.
Për herë të parë, Kryeministri Berisha ka theksuar se në këto zgjedhje nuk ka "as të humbur, as të fituar", por kjo ka sjellë një hije dyshimi tek elektorati, i cili është ndjerë pak konfuz teksa është shprehur se, "në rast se më takon mua t'i telefonoj Edi Ramës për t'i uruar fitoren, e kam vendosur, do t'i telefonoj".
Madje, kreu i ekzekutivit ka pranuar edhe gabimet apo parregullsitë në procesin zgjedhor, edhe pse të gjitha incidentet vinin pikërisht nga PD-ja. Kreu i ekzekutivit i ka cilësuar si të pranueshme, pasi rastet ishin sporadike.
"Nga të dhënat tona duket se është një proces krejt normal, por unë nuk kam qenë vëzhgues në çdo qendër, unë u referohem informacioneve që vijnë nga fusha dhe nga media, të cilat për hir të së vërtetës, kanë pasur informacionet më të mira",- tha ai. Kryeministri Berisha informoi gjithashtu se, pjesëmarrja në këto zgjedhje përbën risinë më pozitive të tyre.
"Nuk mund të them shifrën e saktë, por të paktën ajo është 15% më e lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2005. Mund të jetë dhe më shumë, por po rezervohem të mos jap një shifër më të lartë", - tha ai .