E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shtohet ndjeshëm numri i votuesve

Votuesit e 2009-s kanë tejkaluar ndjeshëm edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e shkurtit 2007 (vendore) kur u regjistrua një pjesëmarrje prej afro 50 000 votuesve në garën për kryetar bashkie


DURRËS - Pjesëmarrja e votuesve në qarkun e Durrësit gjatë ditës së djeshme ka qenë më e larta. Rreth 42% e 290 mijë votuesve në nivel qarku, ku përfshihen rrethet Durrës dhe Krujë kanë shprehur vullnetin e tyre në kutitë e votimit.


Në ndarjen administrative të Bashkisë së Durrësit kanë votuar 62 000 persona, kundrejt 51 000 votuesve që ishte niveli i pjesëmarrësve në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Votuesit e 2009-s kanë tejkaluar ndjeshëm edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e shkurtit 2007 (vendore) kur u regjistrua një pjesëmarrje prej afro 50 000 votuesve në garën për kryetar bashkie.


Sipas statistikave, përjashto fillimet e viteve '90, nuk është regjistruar në Durrës një masivitet i tillë i pjesëmarrjes ne procesin zgjedhor. Duke llogaritur faktin se ky qytet është ndër më të prekurit në Shqipëri nga fenomeni emigracion, atëherë pjesëmarrja efektive në këto zgjedhje duket se ka kaluar çdo parashikim.


Procesi i votimit


Në të gjithë qarkun kanë qenë hapur 351 qendra votimi, 165 nga të cilat i përkasit territorit të Bashkisë së Durrësit.


Në pjesën dërrmuese të rasteve votimi është mbyllur në orën 19:00, por në disa qendra të Fushë-Krujës, Spitallës, Sukthit dhe ish-Kënetës për efekt radhe votuesish qendrat kanë qëndruar të hapura deri në orën 19:25. Në orën 19:30 është mbyllur qendra e fundit e votimit. Me t'u mbyllur procesi, tri partitë kryesore politike kanë përshëndetur pjesëmarrjen e gjerë.


Për rregullsine e procesit nuk ka pasur reagime as nga pala e Partisë Socialiste, po ashtu edhe nga ana e PD. Edhe incidentet kanë qenë pa reagime negative. I vetmi incident serioz ka qenë bllokimi i rreth 14 copë stilolapsave-kamera, te cilat janë gjetur në zonat periferike. Pas kërkesës ato janë zëvendësuar dhe procesi ka vijuar normalisht.


Votimi


Deri në orën 02:40 nuk kishte filluar ende procesi i numërimit të votave në dy qendrat e organizuara, pasi sapo ka përfunduar ardhja e kutive dhe pas hartimit të procesverbaleve përkatëse ka nsisur një proces i shkurtër trajnimi për komisionerët.


Këta të fundit janë njohur me procedurat dhe rregullat ligjore të komisionerit në numërimin e votave. Fillimisht u mendua se do të niste procesi në Shijak, por as në këtë qendër nuk nisi deri në orët e mëngjesit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›