Zgjedhjet në Korçë, probleme në disa komuna
Goditet pas votimit një simpatizant i PS-së. Policia shoqëron një të dyshuar dhe shpall në kërkim bashkautorin
Procesi i votimit në disa fshatra ka nisur me vonesë, ose është bllokuar përkohësisht
Korçë- Procesi zgjedhor në qarkun juglindor ku merrnin pjesë 265 mijë zgjedhës për Korçën, Kolonjën Devollin dhe Pogradecin është zhvilluar brenda normalitetit duke përjashtuar disa raste problematike.
Në të gjithë qarkun e Korçës kanë qenë 433 qendra votimi dhe 6 KZAZ. Anomali në hapjen e procesit zgjedhor ka pasur në fshatin Shkozanj dhe Denas të komunës së largët malore Lekas, për shkak të mosparaqitjes të sekretarëve të komisionit që në këtë rast ishin të dy përfaqësues PD-së.
Pas ndërhyrjes së KZAZ në fshatin Shkozanj në orën 11:00 ka filluar procesi i votimit. Gjithashtu ka filluar me 4 orë vonesë procesi i votimit edhe në fshatin Denas, dhe pa sekretarin e komisionit. Në fshatin Ravonik të komunës së Drenovës të rrethit të Korçës ka pasur debate në lidhje me mungesën e një fletë votimi për të cilën është mbajtur një proces-verbal.
Në fshatin Shtyllë dhe Rehovë të komunës së Vithkuqit të rrethit të Korçës procesi ka nisur me mjaft vonesë, pasi ishin ngatërruar emrat e komisionerëve. Probleme ka pasur në fshatin Qafëzezë të rrethit të Kolonjës, ku votimi është bllokuar për më tepër se dy orë pasi aty banorët kanë votuar familjarisht, i njëjti problem është edhe për fshatin Zvezdë të rrethit të Korçës.
Incidenti më i rëndë i kësaj të diele zgjedhore është regjistruar në fshatin Sul të rrethit të Devollit, ku është goditur dhe është rrahur një simpatizant i PS i quajtur Halil Paja, i cili sapo kishte votuar. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur 150 metra larg qendrës së votimit të fshatit, ku dy persona të hipur në një mjet me targa greke kanë rrahur 68- vjeçarin, i cili ka përfunduar i përgjakur në spitalin e qytetit të Bilishtit.
Disa orë më pas policia e cila ka konfirmuar kapjen dhe shoqërimin e njërit prej autorëve, i cili është, 43- vjeçari Eduart Hyska, ndërsa ka shpallur në kërkim Mentor Hajderlliun, i cili ka qënë bashkautor në goditjen dhe rrahjen e Pajës. Deri 30 minuta përpara mbylljes së orarit zyrtar të votimit, pjesëmarrja në shkallë qarku ka qenë 44%.
Pika e kalimit kufitar në Kapshticë përgjatë gjithë ditës ka qënë pa radhë ose pritje të gjata. Ndërkohë që emigrantët, që erdhën në Shqipëri për të votuar kanë nisur të largohen. Nga pika e kalimit kufitar mësohet se kanë dalë për në Greqi në 24 orët e fundit 2296 persona me 690 mjete, ndërsa numri i hyrjeve është 1422 persona me 313 mjete.
Pogradec, 52% pjesëmarrje në votim
Pogradec -Votimi në Pogradec ka vijuar i qetë dhe i vetmi problem ka qenë mungesa e vulës së qendrës së votimit 3904 tek qendra e votimit pranë pallatit të kulturës.
Kryetari i komisionit zgjedhor të rrethit të Pogradecit, Nexhmi Tora, ka thënë për gazetën "Shekulli" se vula nuk ka humbur në Pogradec, por mungonte që ditën e shtunë kur mbërritën materialet nga KQZ .Sipas tij brenda natës është bërë një vulë tjetër dhe kodi i ri i saj dhe gjithaçka është kthyer në normalitet. Votimet kanë qënë të qeta në rrethin e Pogradecit dhe pjesëmarrja ka qënë masive.
Në orët e para të mëngjesit është bërë zëvendësimi i një komisioneri, i cili nuk u paraqit tek qendra e votimit 3891 pranë shkollës 9 vjeçare 'Kolë Koci " Më pas ka nisur votimi në 102 qendra votimi me 64,405 votues të shpërndara në shtatë komuna dhe në bashkinë e qytetit. Për ruajtjen e tyre kanë marrë pjesë 115 efektiva policie .Kështu nga rezultatet paraprake në shkallë rrethi ka patur një pjesëmarrje që shkon tek 52 %.
Pjesëmarrje më të madhe ka patur në krahinën e Mokrës dhe në zonën e Çërravë ku përqindja ka kaluar mbi 63 %. Në të gjithë rrethin është regjistruar vetëm një incident i vogël në fshatin Leshnicë, ku u ndërpre votimi për 30 minuta pas një grindje midis komisionerve të PS dhe atyre të PD, e cila më pas është zgjidhur me ndërhyrjen edhe të kandidatëvë për deputet të forcave politike.