Stilolapsat-kamera, KQZ ndalon përdorimin e tyre
Debat i ashpër në KQZ. Opozita kërkoi votim të cilësuar. Mazhoranca e kalon më shumicë të thjeshtë
TIRANË - Stilolapsat-kamera dhe llambat fluoreshente, që janë përdorur dje në një pjesë të mirë të qendrave të votimit nga komisionerët socialistë, janë konsideruar të paligjshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pavarësisht se ligji dhe aktet e tjera nënligjore që përcaktojnë rregullat e administrimit zgjedhor, nuk e parashikojnë një gjë të tillë, KQZ-ja, me forcën e kartonit ka marrë vendimin për të ndaluar përdorimin e mjeteve të tilla nga ana e komisionerëve në ambientet e QV-ve.
Por, një gjë e tillë është kundërshtuar fortë nga anëtarët dhe përfaqësuesit e majtë në KQZ, çka ka sjellë dhe debate të forta në këtë komision.
Kështu, nga ana e përfaqësuesve opozitarë, një nismë e tillë është konsideruar e paligjshme, për sa kohë vetë Kodi Zgjedhor, udhëzimi i KQZ-së apo edhe manuali i organizimit të punës në KQV, nuk e ndalon përdorimin e mjeteve të tilla.
Madje, ata kanë kundërshtuar edhe faktin se një vendimmarrje e tillë duhet të vinte në formën e amendimit të udhëzimit të KQZ-së për funksionimin e KQV-ve, që kërkon një shumicë të cilësuar prej 5 votash dhe nuk mund të miratohej kurrsesi si një vendim i thjeshtë, që kërkon vetëm 4 vota.
Sipas përfaqësuesit socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, në bazë të aksiomës juridike se "një gjë e pandaluar është e lejuar", përdorimi i këtyre mjeteve në KQV nuk mund të konsiderohet e paligjshme.
Pavarësisht kundërshtimeve, KQZ-ja ka miratuar me 4 vota pro, 2 vota kundër të dy anëtarëve të majtë (Subashi ishte larguar nga mbledhja pas një konflikti të ashpër me Kosovrastin) vendimin, i cili e konsideronte të paligjshëm përdorimin e këtyre mjeteve, por që në thelb nuk parashikonte ndalimin real të tyre, por vetëm mbajtjen e procesverbaleve nga anëtarët e KQV-ve dhe sinjalizimeve sipas rastit të KZAZ-ve dhe KQZ-së.
"Në rast se ndonjë nga anëtarët apo sekretari i KQV-së, përdorin mjete të tjera, të cilat nuk janë të përcaktuara në ligj, kryetari, zëvendëskryetari apo çdo anëtar tjetër i KQV-së, që konstaton këtë fakt, mban një procesverbal dhe njofton menjëherë KZAZ-në përkatëse dhe KQZ-në", - thuhet në pikën e dytë të këtij vendimi, i cili pas mbledhjes është denoncuar si i paligjshëm dhe nul nga ana e nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, gjatë një konference për shtyp.
Ndërkohë, siç bëri të ditur edhe vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, mbajtja e këtyre procesverbaleve do të ketë vlerë tani pas mbylljes së procesit të votimit, ku ai ka paralajmëruar se në bazë të tyre do të bëhen dhe kallëzimet penale përkatëse për çdo individ që është evidentuar se i ka përdorur.