E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-KiE Qeveria e gatshme te bashkepunoje me opoziten per cdo reforme

Kryeministri Berisha priti në një takim bashkë-raportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav Grigore Petrencot, cilët ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës.

Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që Shqipëria ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës, si dhe i falënderoi ata për një sërë programesh të KE-së për Shqipërinë, që po japin një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha.

Senatori çek, Tomas Jirsa e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i rikonfirmuar atij vullnetin edhe të institucionit që ata përfaqësojnë, për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit.

Në takim, u vlerësuan një sërë arritjesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës ligjore dhe asaj teknike që mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Ndër këto arritje, senatori çek Jirsa veçoi regjistrin elektronik qendror të shtetasve, prej të cilit del më vonë edhe lista e votuesve, duke theksuar se si rezultat i realizimit të këtij projekti të rëndësishëm, Shqipëria përfitoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, çka senatori çek e cilësoi si një arritje madhështore për vendin.

Berisha i njohu bashkëbiseduesit me të gjitha zhvillimet për sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe u rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën, për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe reforma te tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›