E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të angazhuar për të bashkëpunuar me opozitën

Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim me dy reporterët e Këshillit të Evropës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrencotë, cilët ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës.
Sipas faqes zyrtare të presidencës në takim, Berisha rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e gatshme të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që Shqipëria ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës, si dhe i falënderoi ata për një sërë programesh të KE-së për Shqipërinë, që po japin një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha.
Senatori çek Tomas Jirsa i ka rikonfirmuar Kryeministrit Berisha vullnetin edhe të institucionit që ata përfaqësojnë, për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit. Në takim u vlerësuan një sërë arritjesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës ligjore dhe asaj teknike që mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ndër këto arritje, senatori çek Jirsa veçoi regjistrin elektronik qendror të shtetasve, prej të cilit del më vonë edhe lista e votuesve, duke theksuar se si rezultat i realizimit të këtij projekti të rëndësishëm, Shqipëria përfitoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, çka senatori çek e cilësoi si një arritje madhështore për vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›