E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kjo, festa e shekullit - ditë nderimi për të gjithë të rënët për lirinë e kombit shqiptar

15-11-2012 / Gazeta 55

100 vjetori i Pavarësisë, festa nis në Vlorë me ngritjen e Flamurit nga Presidenti Nishani dhe vazhdon në Tiranë me një mori koncertesh dhe paradash festive

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ndal edhe në disa prej aktiviteteve që do të zhvillohen në ditët e shënuara të festës së pavarësisë. Duke e quajtur si festa e shekullit, Kryeministri u shpreh se ajo do të jetë e larmishme në aktivitete kulturore, por edhe një ditë nderimi për të gjithë të rënët për liri të kombit shqiptar.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se festa nis në Vlorë me ngritjen e Flamurit nga Presidenti Nishani dhe vazhdon në Tiranë me një mori koncertesh dhe paradash festive.
“Ky rend dite ka një seri vendimesh, ndër të cilat janë edhe koncertet e festës së shekullit, festës së pavarësisë. Do të ketë tre koncerte në Tiranë në një shumëllojshmëri dhe zërat më të mirë, më të bukur nga muzika dhe folku, tek zërat shqiptare të skenave me prestigjiozë të Evropës dhe të botës. Do të ketë koncert në Vlorë i organizuar nga bashkia e Vlorës në bashkëpunim me Ministrinë  e Kulturës, do të jetë një festival i bukur i muzikës folklorike popullore. Do të ketë paradë në Tiranë, siç është bërë  e ditur festa në datën 28 nis në Vlorë, ku në datën 27 në darkë do të ketë koncert dhe një darkë të përbashkët autoritetet qendrore dhe vendore. Të nesërmen në orën 10.00, Presidenti i Republikës do të ngrejë flamurin, do të vendosim kurora tek varri i Ismail Qemalit dhe Presidenti do të ketë një fjalë, kushtuar 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Vlorë, në një miting të madh. Më pas, festa spostohet në Tiranë me ngritjen e flamurit dhe vendosjen e kurorave tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nuk duhet të harrojmë se jo vetëm këtë vit, por çdo vit dhe çdo kohë, nderimi iu përket të gjithë atyre që kanë rënë për flamur dhe liri, si atyre që kanë rënë në betejat për pavarësi, ashtu dhe të rënëve në betejat për çlirim”, tha Berisha.
Sipas tij, pjesë e festimeve është dhe inaugurimi i  monumentit të Pavarësisë.
“Një konkurs ndërkombëtar u hap për të. Juria kishte shumë variante, por ata përzgjodhën një variant bashkëkohor, një variant i cili i shëmbëllente një libri. Njerëzit mund ta dëshirojnë të formave të ndryshme, por nuk ka njeri që nuk e do librin dhe aty do të jenë të gdhendura me lazer emrat e baballarëve të pavarësisë me në krye Ismail Qemalin, pra një monument jo nga ata që jemi mësuar të shohim deri më sot, por të një lloji të veçantë dhe unë i përgëzoj ata që kanë përzgjedhur”, theksoi kryeministri.
“Shqipëria po lë pas 100 vite pavarësi dhe ne patëm shansin të jemi dëshmitarë të kapërcyellit të shekujve. Për ne, të përjetojmë kapërcyellin tjetër të shekujve, edhe në qoftë se shkenca me antioksidantë mund të krijojë një mundësi të re, shanset janë jo shumë reale”, deklaroi më tej Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›