E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Klanet e mafies do të marrin goditjen më të rëndë

Kryeministri përshëndet konferencën rajonale me temë “Forcimi i Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë për një Anëtarësim të shpejtë të Evropës Juglindore në BE”


Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha, duke përshëndetur punimet e konferencës mbi anëtarësimin e shpejtë në BE të Evropës Juglindore, deklaroi se në katër vite qeveria arriti të shembë murin e krimit të organizuar, por lufta ndaj mafies mbetet prioriteti kryesor i mandatit që sapo ka nisur. Berisha tha se beteja ndaj mafies nuk do të njohë kompromis, duke shtuar se kjo është një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj partnerëve dhe ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë”, tha Berisha. Kryeministri shtoi gjithashtu se integrimi evropian është një levë tjetër, një rrugë tjetër dhe një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për konsolidimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë në vendet tona. Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha: “Zonja kryetare e Parlamentit, Zoti Kukan, Zoti Grossruck, Zotërinj ministra, Të nderuar parlamentarë të vende të rajonit, Zotërinj Ambasadorë, Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes ju në këtë konferencë dhe t’ju falënderoj përzemërsisht pjesëmarrjen tuaj për të trajtuar në këto dy ditë një problem themelor për qytetarët tanë, për qytetarët e rajonit, për botën dhe vendet e lira në tërësi: çështjen e sigurisë, e cila përbën çështjen e të gjitha çështjeve, përbën një çështje që kërkon përkushtim dhe angazhim të madh e të vazhdueshëm, bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar për të marrë përgjigjen më të mirë, për të garantuar sigurinë më të lartë. Zonja dhe zotërinj, Për qeverinë time çështja e sigurisë është para së gjithash një çështje kombëtare, në sensin që jeta e qytetarëve shqiptarë përbën përparësinë më të madhe për këtë qeveri. Ndaj dhe ne, ndonëse erdhëm në pushtet në një terren shumë të vështirë, në një vend në të cilin bandat dhe organizatat kriminale bënin ligjin në qytete, rrethe dhe institucione, i shpallëm atyre luftë me zero tolerancë. Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik ato, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t’i rezistojnë ligjit. Në një hark të shkurtër kohor, prej 18 muajsh, u çmontuan më shumë se 206 banda e organizata kriminale dhe mbi 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u identifikuan, u gjetën, u arrestuan dhe u vendosën para ligjit. Organet e zbatimit të ligjit duke koordinuar mirë veprimtarinë e tyre, por edhe me një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere, të vendeve mike dhe vendeve aleate, i’a dolën që Shqipëria të ketë në dy vitet e fundit treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të mund të përcaktojnë si objektiv nivelin e ulët të kriminalitetit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për katër vitet që vijnë. Shqipëria, në këto përpjekje kundër krimit të organizuar, është i vetmi vend që adoptoi një ligj të veçantë: Moratoriumin për skafet, këto mjete të krimit të organizuar dhe të trafiqeve kriminale të të gjitha llojeve. Ky Moratorium vazhdon dhe do të vazhdojë. 400 kilometra brigje detare të Shqipërisë nuk do të mund të përdoren për të eksportuar kriminalitet dhe trafiqe kriminale drejt Evropës Perëndimore dhe drejt Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër kam kënaqësinë t’ju them se me qindra jetë janë shpëtuar nga ky ligj, sepse skafistët, kjo specie kriminelësh, sa herë viheshin në rrezik para policisë shqiptare apo asaj italiane, hidhnin qeniet e pafajshme njerëzore në det dhe largoheshin. Drama të tilla nuk ka më në ujërat tona territoriale. Zonja dhe zotërinj, Lufta kundër krimit të organizuar vazhdon të përbëjë një përparësi madhore për qeverinë time. Ne e shembëm murin e krimit të organizuar, por sërish kemi probleme serioze me mafien. Unë jam këtu për t’u zotuar se atë që pësuan bandat do të pësojnë dhe klanet e mafies. Këto ditë ne kemi miratuar një ligj të ri, i cili synon goditjen ligjore të krimit ekonomik të tyre. Në rast se nuk u shkatërrojmë ekonominë, lufta kundër mafies është vetëm iluzion. Lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve tanë, ndaj partnerëve tanë, ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë. Në këtë kontekst bashkëpunimi ndërkombëtar, bashkëpunimi me vendet mike si Italia, Greqia dhe vendet përreth është i domosdoshëm, por i tillë është edhe njësimi i ligjeve me këto vende. Ne duhet të kemi ligje të njëjta në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri dhe as në vende të tjera. Mafies duhet t’i digjet toka nën këmbë. Zonja dhe zotërinj, Çështjet e sigurisë nuk janë çështje që zgjidhen vetëm në plan kombëtar, por ato zgjidhen dhe duhet në zgjidhen në plan rajonal, nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer rajonal dhe ky bashkëpunim po vjen çdo ditë duke u bërë më i fortë dhe më i fuqishëm. Disa nga këta bosë të organizatave kriminale janë gjetur dhe ndaluar në bashkëpunim të ngushtë me organet e zbatimit të ligjit të Italisë, Greqisë, Maqedonisë, Suedisë, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqisë dhe shumë vendeve të tjera. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të kompletojmë me shpejtësi të gjitha marrëveshjet e domosdoshme për suksesin e luftës kundër krimit të organizuar. Shqipëria qëndron e gatshme të firmosë me vendet e saj mike dhe me vendet partnere çdo marrëveshje që shërben për një luftë më eficente kundër krimit dhe organizatave kriminale. Çështjet e sigurisë marrin përgjigjen më të mirë në procesin e integrimit. Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende të rajonit që u anëtarësuan në NATO në prill të këtij viti. Shqipëria mbështet fuqishëm anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit, anëtarësimin e Malit të Zi, të Bosnje Hercegovinës, të Kosovës, të Serbisë dhe të të gjithë rajonit. Ne besojmë se procesi i integrimit euroatlantik është një ndër faktorët kryesorë për paqen dhe sigurinë në vendet tona dhe rajonin tonë. Integrim evropian është një levë tjetër, një rrugë tjetër dhe një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për konsolidimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë në vendet tona. Zoti Kukan, Unë shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj ju dhe Parlamentin Evropian për avokatinë dhe mbështetjen që i bëtë rajonit edhe me rezolutën e fundit, si dhe ju siguroj se për qeverinë time procesi i integrimit evropian është dhe do të mbetet një proces i bazuar në performancën e kësaj qeverie dhe të këtij vendi. Kjo është rruga dhe ky është interesi më i madh i qytetareve shqiptarë. Sikundër, shpreh kënaqësinë time të madhe se Traktati i Lisbonës e ka thjeshtuar më shumë këtë proces, në sensin që tani procesi është i bazuar në performancën e vendeve që aspirojnë për t’u anëtarësuar dhe nuk diktohet shumë nga faktorë jashtë tyre, të cilët kanë pasur një influence të pamohueshme dhe normale. Javën e kaluar, unë takova në Prespë Kryeministrin e Greqisë z. Georgios Papandreou dhe e përshëndeta nismën e tij për të përfunduar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, datë dhe vit në të cilin u hodhën farat e padrejtësive më të mëdha të Evropës ndaj rajonit tonë. Ishte Lufta e Parë Botërore që krijoi ‘sallatën’ ballkanike, por do të jetë Bashkimi Evropian që do të shërojë në mënyrë përfundimtare pasojat e vitit 1914-t. Ndaj dhe unë e përshëndes këtë iniciative, sikundër theksoj se në eksperiencën e Bashkimit Evropian dhe në historinë e këtij procesi, vetë Greqia është shembulli i suksesit të procesit të akseleruar. Uroj dhe dëshiroj që askush të mos druhet nga akselerimi i këtij procesi për vendet tona. Zonja dhe zotërinj, Siguria, paqja dhe stabiliteti sigurohen dhe garantohen vetëm duke luftuar dhe duke pranuar të luftosh dhe verifikosh rreziqet atje ku lindin. Sot një betejë e vërtetë zhvillohet në Afganistan midis popullit të këtij vendi, institucioneve të tij, Aleancës së Atlantitkut të Veriut dhe talebanëve, të cilët përfaqësojnë një platformë, mentalitet dhe botëkuptim sa mesjetar aq edhe terrorist. Paqja në Afganistan është e rëndësishme jo vetëm për kombin afgan, por edhe për të gjitha kombet tona. Historia provoi se çfarë është regjimi i talebanëve; provoi se cili është qëndrimi i tyre ndaj nënës, motrës, gruas afgane; provoi se cili është qëndrimi i tyre ndaj reparteve më të rrezikshme të terrorizmit botëror, streha e Bin Ladenit. Kështu që, duke përshëndetur vendimin e ri të Presidentit Obama dhe duke përshëndetur përgjigjen që i dhanë vendet anëtare të Aleancës qëndrimit të ri të Presidentit Obama, dua t’ju informoj ju se ne vendosëm që kontingjentin e Shqipërisë në Afganistan t’a rrisim nga 250 në 335 anëtarë të Forcave të Armatosura. Shqipëria në tërësi ka në misionet paqeruajtëse mbi 415 anëtare të Forcave të Armatosura që, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, përmbushin me dinjitet detyrën e tyre. Ne jemi të vendosur të mbështesim qeverinë afgane në të gjithë përpjekjet e saj për t’u dhënë përgjigjen e merituar telebanëve, por edhe për rindërtimin e Afganistanit. Në këtë kontekst, ne jemi angazhuar për të ndërtuar tetë shkolla, i kemi ofruar qeverisë afgane rreth 100 bursa dhe jemi të gatshëm të konsiderojmë zgjerimin e mbështetjes sonë, pasi ky është interesi më i mirë për paqen dhe sigurinë në Afganistan, në rajon dhe në botë. Edhe një herë dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht për këtë konferencë, të shpreh dëshirën time që vendet e rajonit të ecin gjithnjë e më shpejtë drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe të shpreh dëshirën që Maqedonia të zërë vendin e saj në këtë Aleancë, duke zgjidhur problemet me vendin tjetër mik, në interesin më të mirë të qytetarëve të saj dhe të rajonit. Faleminderit!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›