Shoqata anti komuniste protestë para Bashkisë: Edi Rama t’i kërkojë falje familjes së poetit, Havzi Nela, i vrarë nga regjimi barbar komunist
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve politike të Shqipërisë, dhe shumë ish të burgusr poltikë, së bashku me familjarë të afër më të tyre, protestuan sot para Bashkisë së Tiranës, ku me këtë rast ata vendosën dhe një trekëndësh druri, si simbolikë e përkujtimit të varjes së poetit Havzi Nela në gusht të vitit 1988.
Kryetari i Shoqatës Skënder Qendro:
“Ne si përfaqësues të persekutuarve dhe të të burgosurve politikë, të rregjimit më të egër diktatorial të komunizimit, kërkojmë falje nga Kryetari socialist Edvin Rama djali i Kristaq Ramës, ish anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor që ka firmosur varjen e poetit, Havzi Nelës, e njeriut të pendës dhe mendimeve të skalitura, që u vra pa mëshirë në lule të moshës.
Jemi sot këtu për të kërkuar nga djemtë dhe nipërit e pashallarëve të kuq, të kërkojnë të falur për krimet dhe kalvarin e persekutimeve që i shkaktuan shqiptarëve, për 46 vjet.
Zoti Edi Rama prej 20 vitesh ju dhe kolegët tuaj, të udhëzuar nga mjeshtërit e vjetër, vazhdoni të mos kërkoni të falur dhe sot me arrogancën tuaj qesharake, kërkoni të na kërcënoni lirinë, demokracinë, aq shumë të ëndërruar prej nesh, për të cilën ne vuajtëm, u pushkatuam dhe u dënuam me qindra vjet burgime, internime e kampe pune.
Jemi sot për ti thënë Edvin Ramës dhe të gjithë shpurës së tij, pasardhësve të klikës së rregjimit më të egër që njohu njerëzimi- komunizmit, se ajo kohë ka vdekur një herë e përgjithmonë.
Fosilet e të kaluarës nuk mund të ngjallen, ato mbeten vetëm fantazma të një kaluare të errët, të një fataliteti të papërsëritshëm historik.
Zoti Rama ju dhe ata që ju ndjekin nga pas, na ngjallni neverinë e turmave histerike të 1 Majit, festës së proletariatit dhe që sot tingëllojnë aq qesharake për çdo qytetar dinjitoz, evropian standartet e të cilëve kërkojmë të arijmë të gjithë ne, por që ju, mesa duket nuk do ti arrini kurrë.
Zoti Rama! Ju dhe asnjë prej jush nuk mund të lëkundni asnjë gur të themelit të fortë të një shtetit anëtar të NATO-s, të Shqipërisë qytetarët e të cilës, shumë shpejt do të lëvizin të lirë në të gjithë Evropën. Kjo ishte ëndëra e jonë e lirisë, që komunizmi donte ti prishte përgjithmonë, por demokracia i bëri ato realitet.”