E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Klosin e kam nxjerrë nga policia në Monte Karlo

SHKRUAN: Sabina Veizaj 26-11-2011 11:18

Kryeministri dhe deputeti i PS-së shkëmbejnë batuta për buxhetin dhe sheshin “Skënderbej”.

Replika të ashpra ka patur dje në sallën e Parlamentit mes kreut të Qeverisë, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Ben Blushi. Debati e ka patur fillesën në grantet e pakushtëzuara dhe ato të kushtëzuara të pushtetit vendor që, sipas opozitës, kjo qeveri i ka ulur. Ndërsa Berisha theksoi se opozita ka ndezur motorët e dezinformimit dhe po vjell vrer mbi buxhetin 2012. “Në fondet e rajoneve në grante janë së paku 35mld lekë, së paku 5 herë më shumë se ju i dhatë me pikatore qeverisjes vendore. Edhe ato që merrnit, i ndanit më shumë bashkisë së Tiranës, që s’u kthyen asnjëherë në rrugë, shkolla e spitale” - tha ai. Duke bërë një krahasim me kohën kur Edi Rama ishte nën drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe fondet për infrastrukturën dhe gjelbërimin e kryeqytetit i transferoi për paga punonjësish në bashki, Berisha kujtoi sheshin “Skënderbej” ku, sipas tij, çdo taksë gjelbërimi kalon në mbjellje të pemëve. “Po ju citoj disa rreshta të një shkrimtari: ‘Kravatën time më të mirë do ia lidh kalit të parë që do më dalë para’. Po villni vrer ndaj buxhetit. Ju sjell këtu Tiranën. Qytetarëve të Tiranës u kushtoi 5 mijë dollarë një pemë me qeverisjen tuaj vendore, 17mln dollarë taksa e gjelbërimit në emër të diskrecionit. Ku janë pemët, përfshi ato që s’kanë zënë dhe ato që janë tharë? Mblidhnit taksën e gjelbërimit, por nuk thoni dot pyllëzuam Tiranën, këtë s’e thoni dot. Shko shikoje sheshin, mori drejtimin e zhvillimit jeshil. Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Shihni more! A e kuptoni se çfarë ishte piramida, apo jo? Piramida nuk ndërtojmë më. Nuk bëjmë Kurbane e rite të vdekjes. Ne kemi ritin e jetës. Atëherë më sulmuat kur fola për Harry Poter, po tani që ju mbiu “Kurbani” te dera e partisë? E merrni me detyrim dhe e lexoni me detyrim librin. Ja, pra, që ju mbiu Kurbani juve.”- tha Berisha. Në përgjigje të tij, Ben Blushi tha se “Kollares po i vure llastik, e var ku të duash. Po flet për taksat, por si ka mundësi, vetëm dyqani i Saliut nuk taksohet. Ai sheshi është bërë mirë se më jep mundësi të shkoj në shtëpi 5 minuta më shpejt, por a mund të ma thotë njeri si të shkoj te monumenti? E keni hipur Skënderbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë bar në fushë. Kjo nuk është për të qeshur. Po pati mundësi Saliu të shkojë te monumenti pa hequr këpucët, jam gati ta ndjek dhe unë”.

Më herët Blushi u shpreh se “Borxhi mbetet një problem kronik për Shqipërinë, ai po zhyt ekonominë e botës se qeveritë paraardhëse nuk ditën t’i venë kufi. Ka ardhur koha të vëmë kufizime. N.q.se rritja e këtij buxheti ka ndodhur, është se borxhi është rritur. E lamë 54% dhe shkoi 64%. Dhe normale, Kryeministri nuk përgjigjet dot sesi do paguhet borxhi publik në Shqipëri. Borxhi të mos trashëgohet, kjo është çështja”- tha ai. Në të njëjtën kohë, Blushi i kërkoi qeverisë që privatizimet të bëhen me seriozitet dhe jo me urgjencë. “Privatizimet e atyre objekteve që kanë mbetur po bëhen me urgjencë, për të mbuluar borxhin, këto asete po shiten shumë lirë, nën kosto, pa folur pastaj për korrupsionin. Ky Parlament nuk mundet më të lejojë që asetet të shiten lirë, për interes të qeverisë. Njësoj si t’i shesësh për 5 lekë”- u shpreh ai.

Replikat në Kuvend,

përgjigjet e Berishës për deputetët e PS-së

Topalli: Është koha e pyetjeve për buxhetin.

Berisha: Znj. kryetare është e çuditshme, si në asnjë vend tjetër në botë, opozita nuk bën asnjë pyetje për buxhetin. Pse nuk bëjnë pyetje, sepse e dinë se përgjigjet dalin tërësisht dhe rrëzojnë pyetjet

Berisha: Shko shikoje sheshin, mori drejtimin e zhvillimit jeshil. Tirana është kryeqyteti më i gjelbëruar i planetit. Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Shihni more! A e kuptoni se çfarë ishte piramida, apo jo? Piramida nuk ndërtojmë më. Nuk bëjmë Kurbane e rite të vdekjes. Ne kemi ritin e jetës. Atëherë më sulmuat kur fola për Harry Poter, po tani që ju mbiu Kurbani te dera e partisë? E merrni me detyrim dhe e lexoni me detyrim librin. Ja pra që ju mbiu “Kurbani” juve.

Blushi: Kollares po i vure llastik, e var ku të duash. Ai sheshi është bërë mirë, se më jep mundësi të shkoj në shtëpi 5 minuta më shpejt, por a mund të ma thotë njeri si të shkoj te monumenti? E keni hipur Skënderbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë bar në fushë. Kjo nuk është për të qeshur.

Braçe: Kryeministri lë Parlamentin dhe shkon në inaugurimin e një prej klientëve të tij. Nuk është normale që në diskutimin e projektit më të rëndësishëm të mungojë 90% e qeverisë.

Berisha- Harasanit: Rri, mor zotëri, se do i përgjigjem zotit Fino. E kam patur Kryeministër atë, jo ty.

Berisha- opozitës: Mjaft me këto, se me këto më zgjasni mua pushtetin përtej viteve që as vetë nuk i kam shpallur.

Berisha- Koçit: Po, po, Shqipëria do të bëhet si Zvicra. Unë nuk thashë që është si Zvicra, por do të bëhet. Nuk matemi me orë me Zvicrën, por do të bëhet. Kemi brigjet e Jonit të mrekullueshme.

Berisha- Koçit: Shqiptarët nuk votojnë nën diktat. Nuk ka terror, nuk janë larva njerëzit. Nuk jemi shtet policesk. Një lider duhet të jetë frymëzues. Nuk mund të jetë frymëzues një lider që kalon nga disfata në disfatë. Liderët duhet të të frymëzojnë. Nëqoftëse nuk të frymëzojnë, varja.

Mos u bëj militant ti, siç u bë ai Koçi tjetër para teje dhe ku është tani?!!!

Klodiana Spahiu: Sot në Shqipëri për shkak të problemeve 1 në 2 shqiptarë vuan nga sëmundjet e zemrës, ndërkohë që në 1 në 4 vuajnë nga problemet depresive.

Berisha- Spahiut: Se ku e shpik ti këtë rezultat, në laboratorët e PS-së, këtë nuk e di, por një njeri me diplomë mjekësie nuk mund ta thotë këtë, pavarësisht diagnozave të dala nga laboratorët e PS-së. Kjo është statistikë e mjerimit e patologjisë. Ju thatë se 1 në 4 vetë është me depresion, aty ku jeton ti në mjedisin tënd politik mund të jetë edhe 75%, po kjo nuk është tregues për gjithë Shqipërinë, ka tregues që tregojnë se Shqipëria është vendi i 57-të në botë që jetohet më mirë. Problemet maniako-depresive në PS mund të jenë shumë më të mëdha nga ato që tha deputetja Spahiu, por kjo nuk është në anëtarësinë socialiste dhe as te shqiptarët.

Erion Braçe: Ja, doktor, e ka thënë gazeta MAPO, unë e besoj atë. 1 në 4 shqiptar vuajnë nga depresioni.

Berisha: E dini ju që të dhënat e fundit flasin për jetëgjatësinë 79 vjeç mesatarja në Shqipëri?

Blushi: Ne nuk themi që duhet të ngarkohen të pasurit, ne themi që duhet të çlirohen të varfrit. Ky është problemi. Se ky buxhet është ngritur mbi punën dhe jo mbi kapitalin, mbi fitimin. Dhe taksën e korrupsionit, paaftësisë, padrejtësisë sociale e paguajnë të varfrit e Shqipërisë, që janë 90% e tyre. Pyetja është pse të varfrit duhet të paguajnë më shumë detyrimin që lind nga paaftësia e Qeverisë, korrupsioni dhe mbështetja e të pasurve, mbështetja e një klientele të pasurish. A ka sot në Europë një shoqëri më të padrejtë, një shoqëri e cila takson njësoj kapitalistin dhe punëtorin e tij? A ka një shoqëri e cila takson njëlloj ministrin dhe punëtorin e tij? Nuk ka në Europë dhe ky është një debat themelor. Jemi ende në periferi të debateve që po zhvillohen sot në Europë.

Dëgjova mbrëmë ministrin që duke qeshur tha se edhe mund të rritet borxhi publik.

Fino: Zoti Berisha, unë po të jap fjalën që do ta votoj këtë buxhet, por nëqoftëse ti lidh një marrëveshje me mua dhe zgjidh këto katër probleme që do të them unë tani për pushtetin vendor, nuk fitojnë vetëm kryetarët e bashkive dhe komunave socialiste, por të të gjitha partive politike, edhe partisë sate.

Berisha: Në qoftë se unë jap buxhet nga buxheti qendror, unë besoj se kam vetëm një të drejtë që ky të shkojë në maksimum te qytetari. Por nëse shkon për të shndërruar bashkitë në qendra punësimi, çfarë më mbetet mua dhe ty ligjvënës?

Bode: Mënyra e përdorimit të fondeve, nuk janë ndërhyrjet. Të gjitha vendet demokratike e kanë orientimin e përdorimit të fondeve.

Lidhur me rentën, zoti Fino, granti i pakushtëzuar jepet për të ekualizuar të ardhurat e komunave dhe bashkive që lidhen me autonominë lokale.

Berisha: Më erdhi një sms nga dikush nga Kukësi dhe ai më thotë që ju shpreheni se do realizoni këtë e atë. Po rruga e fshatit tim thotë, a do bëhet? Unë i them atij se unë do i mbaj premtimet. Kur? Natyrisht në kohën e duhur dhe kur të jenë mundësitë. Unë këtu jam.

Dalipi: Ore, po sa vjeç je ti që premton se do t’i bësh kur të kesh mundësi?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›