Miratohet me 74 vota buxheti, s'pranohen propozimet e opozitës
Kuvendi ka miratuar dje në parim, pas një seance maratonë që ka zgjatur më shumë se 13 orë, buxhetin e shtetit për vitin 2012. Buxheti është miratuar me 74 vota pro dhe 56 kundër të opozitës, ndërsa javën e ardhshme pritet dhe miratimi i tij nen për nen dhe në tërësi, para se të hyjë në fuqi në janarin e ardhshëm. Votimi nuk ka pasur asnjë surprizë, pasi deputetët e të dyja palëve u janë përmbajtur qëndrimeve të tyre politike dhe për rrjedhojë nuk ka pasur rrjedhje votash. Për qeverinë, ky buxhet ruan stabilitetin makroekonomik dhe parashikon investime në të gjithë sektorët apo dhe rritje pagash e pensionesh, por për opozitën, ai nuk do të sjellë asnjë përfitim për qytetarët dhe sipas saj, nuk mban parasysh rrezikun e krizës ekonomike. Ndërkohë që po gjatë seancës së djeshme, Kuvendi ka votuar edhe dy ligjet që kishin të bënin me fushën e energjisë, të shtyra nga seanca e së enjtes.
Debati
Diskutimi i buxhetit të vitit të ardhshëm ka nisur pak pas orës dhjetë të paradites së djeshme dhe ka zgjatur deri pak pas mesnate, ku secila palë ka folur në mënyrë të programuar për më shumë se 6 orë secila. Fryma e kompromisit që kanë arritur dy palët në parlament gjatë këtyre dy javëve, është vënë re edhe gjatë seancës së djeshme, ku pavarësisht votës dhe qëndrimeve kundërshtuese për të dhënat e buxhetit, kanë munguar debatet e forta që kanë karakterizuar diskutimet e buxheteve të tjera.
Megjithatë, duke iu përmbajtur debatit teknik të buxhetit opozita e kritikoi ashpër atë, pasi sipas socialistëve, buxheti i vitit 2012 nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike. Për socialistët problem mbetet dhe borxhi publik. Ndërkohë që demokratët e kanë mbrojtur atë si një buxhet të një politike të matur ekonomike dhe financiare. Në fjalën e tij para ligjvënësve, kryeministri Berisha mbrojti draftin dhe sulmoi opozitën si të sëmurë me sindroma, që ai si kryeministër nuk e shëron dot. Berisha theksoi se drafti i paraqitur sot është më i miri, mbron qytetarin dhe nuk prek rritjen e pagave e pensioneve apo sistemin fiskal. Ndërkohë që ministri i Financave, Ridvan Bode duke mbrojtur buxhetin tha se ai synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 %, si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.
Kushtet e PS për buxhetin
Opozita ka kushtëzuar votën e saj pro projektbuxhetit të paraqitur nga qeveria për vitin e ardhshëm, me një sërë amendamentesh që prekin kryesisht trajtimin e shtresave sociale me më pak taksa, si dhe me më shumë përkujdesje. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ai që duke folur në debatin e djeshëm në parlament, ka prezantuar edhe 8 amendamentet që socialistët propozojnë në projektbuxhet, miratimi i të cilave do të bënte sipas tij që socialistët të votonin pro tij. “Votoheni, thotë kryeministri. Po kryeministër, ne jemi gati ta votojmë. Por si? Ne kemi propozimet tona konkrete. Më lejo që tetë prej tyre t’i përsëris këtu, dhe unë marr përsipër si kryetar i grupit ta votoj buxhetin”, - tha Ruçi. Më konkretisht, ai ka propozuar që të parashikohen në buxhet efektet e ndryshimit të TVSH-së për pagat, ku ata që paguhen më shumë të paguajnë më shumë, ndërsa për pagat e ulëta, ajo të ndryshojë duke u ulur. Një propozim ky që është pjesë edhe e programit politik që PS-ja miratoi pak kohë më parë. Sot shqiptarët paguajnë dy herë më shumë taksa për një kg miell, sheqer etj. Propozimi i dytë i Ruçit kishte të bënte pikërisht me uljen e TVSH-së së bukës, qumështit, miellit, vezëve 17 për qind më pak dhe vaji, sheqerit dhe orizit 18 %. Gjithashtu, pjesë e kësaj pakete propozimesh ishte dhe ulja e TVSH-së për ilaçet për shtresat me të ardhura të pakta dhe ngritja për shtresat me të ardhura të larta. Propozimet e grupit parlamentar socialist preknin edhe fushën e fshatit dhe më konkretisht uljen e taksave për karburantit, të plehrave dhe pesticideve për bujqësinë. Ai ka propozuar ndër të tjera edhe uljen e TVSH-së së energjisë elektrike me 6 % dhe parashikimin e efekteve të saj në buxhet. Një tjetër propozim ka qenë edhe ai për heqjen e TVSH-së së librit dhe parashikimin e efekteve të tij në buxhet. Dy propozimet e fundit të Ruçit ishin ato që prekin çështjen e pronave dhe të përndjekurit. Për të parën, socialistët kanë propozuar ngritjen e një komiteti të përbashkët për të zgjidhur çështjen e pronës në Shqipëri, ndërkohë që për të dytën, kanë bërë propozimin që ekziston edhe në programin e PS-së që, kushdo nga të përndjekurit që ka mbushur 70 vjeç, ta marrë dëmshpërblimin njëherësh.