Ministri serb: Për Kosovën shkojmë edhe në luftë
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, e ka cilësuar sulm ndaj Beogradit operacionin e KFOR-it për të hequr barrikadat në veri të Mitrovicës
Beograd- Zv.kryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, reagon ashpër pas heqjes së disa barrikadave serbe në Veri. I pyetur nga mediat serbe, ai ka deklaruar se me këtë veprim nuk janë sulmuar vetëm serbët e Kosovës, por edhe Beogradi. Sipas portalit serb, B92, Daçiç ka deklaruar se ”për Kosovën mund të shkojmë deri në luftë”. “Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duhet të dijë se duke sulmuar serbët në Kosovë, ka sulmuar gjithashtu Beogradin”,- ka thënë Daçiç. Ai shtoi se Serbia nuk mund të qëndrojë në mënyrë paqësore dhe të shikojë se si sulmohen serbët. "Sulmi i armatosur i Hashim Thaçit mbi serbët në Kosovë dhe Metohi është një dritë e kuqe për Beogradin", citohet të ketë thënë Daçiç. Daçiç argumenton më tej duke thënë se “nëse Turqia e quan një sulm ndaj Sarajevës si një sulm ndaj Stambollit, atëherë s’ka asnjë arsye pse një sulm ndaj Mitrovicës të mos jetë një sulm kundër Beogradit”. Daçiç theksoi se, nëse opsioni i luftës hidhet poshtë, ky do të ishte një mesazh i gabuar për Hashim Thaçin, sepse një balancë frike është e nevojshme për sigurinë e rajonit. Sipas tij, ishte pikërisht kjo balancë frike, arsyeja e vetme që nuk shpërtheu lufta mes SHBA-ve dhe ish- Bashkimit Sovjetik.