Berisha: Koalicioni fitoi me 6%, tani pres Tiranën
Valentina Madani
Logot politike të Aleancës për qytetarin janë në një avantazh mbi 6%. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë se Aleanca për Qytetarin ka fituar votën politike të shqiptarëve. Sipas tij, shumica e qendrave më të mëdha në vend ia kanë besuar administrimin opozitës, por votën politike për siglat e partive e ka marrë mazhoranca. Për kreun e qeverisë, vota politike, e cila iu besua mazhorancës aktuale, përbën jo vetëm një rifreskim të mbështetjes së fuqishme të shqiptarëve për mazhorancën, por edhe një garanci të padiskutueshme për një fitore të shkëlqyeshme të kësaj mazhorance në vitin 2013. Kreu i qeverisë vlerësoi standardet e arritura në këto zgjedhje, duke i cilësuar ato si standarde evropiane. Po kështu, Kryeministri vlerësoi edhe procesin e numërimit të votave, për zgjedhjet vendore, si një proces transparent dhe korrekt. Në gjykimin e tij, në këto zgjedhje sovrani i ka besuar administrimin e qeverisjes vendore, shumicës qeverisëse.
Në fletët e votimit ka pasur edhe një votë politike, aq sa janë politike simbolet e partive. Logot politike të këtij koalicioni janë sot në një avantazh mbi 6%. Kjo votë politike përbën jo vetëm një rifreskim të mbështetjes së fuqishme të shqiptarëve për mazhorancën, por kjo përbën edhe një garanci për një fitore të shkëlqyer të kësaj mazhorance në vitin 2013, - tha Berisha. Më tej, kreu i qeverisë komentoi edhe garën për Tiranën, ndërsa u shpreh se procesi i numërimit të votave po zhvillohet në mënyrë korrekte. Z. Berisha vuri në dukje se në garën për Tiranën, pavarësisht nga rivaliteti dhe kundërshtirat, secili nga kandidatët e ka të qartë dhe është i bindur se vota e tij po numërohet në mënyrën më korrekte dhe kjo është një arritje e demokracisë shqiptare. Berisha theksoi se tashmë pritet rezultati i Tiranës, që është kthyer në ankth se kush do ta marrë bashkinë më të madhe në vend.
Presim rezultatin e Tiranës, kjo e Tiranës, si Kryeministër nuk më takon ta them, më duket si një fitore shpirtnxjerrëse, cilido ta ketë atë. Këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë, me qartësinë e dritës së diellit, se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi, më me saktësi se në çdo vend tjetër. Ndiqeni garën për Tiranën! Pavarësisht nga rivalitetet, pavarësisht nga kundërshtirat, pavarësisht nga të gjitha, secili nga kandidatët e ka të qartë dhe është i bindur se vota e tij po numërohet në mënyrën më korrekte dhe kjo është një arritje e demokracisë shqiptare, - theksoi z. Berisha. Kreu i ekzekutivit u shpreh më tej se fituesi i 8 majit do të marrë përgëzimet e tij, por edhe të kabinetit qeveritar. Pres rezultatin përfundimtar dhe shpalljen për të uruar fituesin. Shpreh vendosmërinë dhe gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim dhe partneritet në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, - deklaroi z. Berisha. Sipas kreut të qeverisë, zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjshmëri e saktësi se në çdo vend tjetër.
Këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi e saktësi se në çdo vend tjetër. Votat po numërohen në mënyrën më korrekte, kjo është rritje e demokracisë shqiptare, - u shpreh Sali Berisha. Në përfundim Kryeministri Berisha deklaroi se qytetarët në zgjedhjet e 8 majit faktuan para mbarë botës vendosmërinë e tyre për të konsoliduar sistemin demokratik të vendit, kontribuues në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kryeministri nënvizoi se mbështetjen qeveria do ta konvertojë në investime, në rritje pagash e pensionesh.
PD, Mustafaraj: Rama të kurojë panikun e humbjes
PD hedh poshtë akuzat e PS-së për pengesa në numërimin e votave në njësinë nr. 5 në kryeqytet, duke i kërkuar kreut Edi Rama që të kurojë me qetësues panikun e humbjes. Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, iu kundërpërgjigj dje deputetit të PS-së, Erion Braçe, i cili kërcënoi numëruesit dhe vëzhguesit e djathtë në këtë njësi bashkiake. Rama duhet të kurojë panikun e humbjes me qetësues, dhe jo me kërcënime ndaj numëruesve dhe vëzhguesve të PD-së. Këto veprime që po bën PS, tensionojnë situatën dhe ngadalësojnë procesin, - theksoi Mustafaraj. Ajo bëri të qartë se vëzhgues e numërues të Partisë Demokratike janë emëruar për të vepruar sipas Kodit Zgjedhor. Mustafaraj përmendi se shumica e komisionerëve të PS-së janë të Bashkisë Tiranë ose të Policisë Bashkiake. Ajo theksoi se ecuria e numërimit ka qenë normale, pasi vetëm brenda pesë orësh janë numëruar 6 kuti dhe në proces janë edhe dy kuti të tjera.
Ne nuk i bëjmë thirrje askujt të rrethojë qendrat e numërimit, ne nuk bëjmë presion ndaj vëzhguesve dhe numëruesve të PS-së, ne do bëjmë gjithçka që zëri i qytetarëve të lexohet, - tha zëdhënësja e PD-së.
Partia Demokratike falënderoi sërish numëruesit e vëzhguesit e saj, veçanërisht duke pasur parasysh presionin dhe kërcënimet që po ushtrohen ndaj tyre orët e fundit nga PS-ja. PD i ftoi ata të vazhdojnë detyrën e tyre në mbështetje të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Çdo votë lexohet nga dhjetëra vëzhgues vendas e të huaj në projektorët e vendosur në tavolinat e numërimit, gjë që i siguron këtij procesi saktësi e transparencë maksimale. Ndërsa i gjithë opinioni publik po pret me qetësi dhe interes rezultatin e numërimit të votave, në të njëjtën frymë me atë të vëzhguesve ndërkombëtarë të cilët bëjnë thirrje për një proces të qetë e leximin e kujdesshëm të çdo vote, ne nuk kemi ndërmend ti përgjigjemi me të njëjtën gjuhë Edi Ramës. Këto zgjedhje janë të lira, të ndershme dhe transparente dhe çdo tentativë e Ramës dhe Braçes për ti njollosur ato do të dështojë, - theksoi znj. Mustafaraj.
Bogdani: Rama, presion numëruesve, frikë nga rezultati
PD akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po përpiqet të prishë procesin përmes kërcënimit, duke hedhur akuza të pabaza prej talebani ndaj numëruesve. Sipas deputetit Gerti Bogdani, suksesi i demokracisë në një garë kaq të ngushtë provon para botës kredencialet e vendit tonë. Gjatë gjithë procesit të votimit dhe numërimit, - tha z. Bogdani, - Shqipëria dhe qytetarët e saj i kanë treguar botës anën tonë më të mirë, duke u përfshirë në një proces zgjedhor demokratik, të ndershëm dhe transparent. PD është e vendosur ta vazhdojë këtë proces deri në leximin e votës së fundit, në mënyrë të tillë që të na bëjë të gjithëve të ndihemi krenarë. Çdo votë duhet të numërohet dhe çdo zë duhet të dëgjohet, por tani që kanë mbetur pa numëruar vetëm 14 kuti dhe gara mbetet e ngushtë, nën frikën në rritje nga rezultati, Edi Rama dhe zëdhënësit e tij po i tregojnë mbarë botës anën e tyre më të keqe. Në vend që të dëgjojë me qetësi zërin e qytetarëve, Edi Rama po përpiqet të prishë procesin përmes presionit dhe kërcënimit ndaj numëruesve, komisionerëve dhe vëzhguesve, duke hedhur akuza të pabaza me një gjuhë prej talebani. Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi demokracinë, thjesht sepse ka frikë nga rezultati i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, - deklaroi deputeti Gerti Bogdani.
PDIU: I merituam votat, nuk ia morëm askujt
PDIU është e kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të 8 majit në bashkitë dhe komunat në mbarë vendin. Sipas drejtorit për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Bido, PDIU i meriton votat e marra dhe ato nuk ia mori asnjë force tjetër politike. PDIU falënderon të gjithë qytetarët që i kanë besuar votën e tyre një partie me profil të qartë kombëtar në vend. Ne ju sigurojmë se vota juaj do të jetë një votë për një zë të fortë kombëtar në të gjithë vendin, kudo ku na keni besuar fitoren e kandidatëve tanë. Votat e PDIU-së janë vota të pastra, falë besimit të qytetarëve shqiptarë tek fryma dhe parimet tona. Ne nuk kemi asnjë votë të kurrkujt. Votat e qytetarëve janë përgjegjësi dhe detyrim për ne, që të vijojmë rrugën tonë kombëtare dhe garant i dinjitetit të shqiptarëve, - theksoi z. Bido. Ai përmendi se kandidatët e PDIU-së kanë fituar garën në bashkitë Librazhd, Sukth dhe Rrogozhinë, si edhe në komunat Markat dhe Shush